
Detaje nga dosja e hetimit për tenderin e tunelit të Llogarasë, ku përfshihen komunikime mes ish-zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi kanë rrjedhur në media. Sipas bisedave në Signal, tenderi është orientuar në mënyrë të tillë që fitues të shpalleshin kompanitë turke Intekar dhe ASL, përpara se procedura të zhvillohej zyrtarisht.
Në dosje theksohet se komunikimet janë kryer përmes aplikacionit nga një telefon BlackBerry që Berberi mbante në banesë. Përgjimet tregojnë se Balluku e ka ndjekur nga afër çdo fazë të tenderit, që nga faza përgatitore deri në shpalljen e fituesit.
Mesazhi: “Në darkë o zemër”
Në një nga komunikimet, pas vendimit për shtyrjen e datës së tenderit, Balluku dhe Berberi bien dakord të takohen në banesën e ministres, me mesazhin e saj:
“Në darkë o zemër. Po futem në garazh. Hajde lart… shkalla H.”
SPAK argumenton se ky takim është bërë për të finalizuar ndryshimin e afateve dhe mbarëvajtjen e procesit sipas marrëveshjes së paracaktuar.
Turqit zbarkojnë në Shqipëri para shpalljes së fituesit
Dosja vërteton se përfaqësues të kompanisë turke kanë hyrë në territorin shqiptar edhe pa u shpallur fitues, duke parë nga afër terrenin ku do të ndërtohej tuneli. Sipas hetimit, kjo është bërë me dijeninë dhe koordinimin e Ballukut dhe Berberit.
Shpallja e fituesit
Më 1 tetor 2021, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i drejtuar nga Berberi, skualifikon të gjithë operatorët e tjerë dhe shpall fitues bashkimin Intekar – ASL. Përpara shpalljes, Berberi i shkruan Ballukut:
“Ok, për pak nxjerr tunelin.”
Balluku i kthen:
“Prit, t’i çoj fjalën atij.”
Akuza
SPAK akuzon Ballukun dhe anëtarët e komisionit të tenderit për:
- Shpërdorim detyre
- Cënim të konkurrencës
- Favorizim të operatorit të paracaktuar
- Shkelje të ligjit për prokurimet publike dhe konfliktin e interesit
Hetimet vijojnë.







