DVP Elbasan ka bërë publik zhvillimin e fundit të operacionit policor të koduar “Strike”, i cili vijon me qëllim identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë në ekzekutimin e biznesmenit të njohur M. M. (alias E. H.), të vrarë mbrëmjen e 30 nëntorit 2025 pranë një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”.

Sipas njoftimit zyrtar, falë hetimeve intensive dhe veprimeve të shpejta operative, është identifikuar dhe arrestuar një prej bashkëpunëtorëve të dyshuar të ngjarjes:

– N. S., 29 vjeç, banues në Prrenjas, i cili akuzohet për:
“Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim
“Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”

Policia bën me dije se i arrestuari ka precedent të rëndë kriminal, mes tyre: tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes a dhunës për dhënie pasurie, dhe vjedhje.

Gjatë operacionit janë sekuestuar një automjet, një telefon celular dhe prova të tjera materiale, që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të skenarit të vrasjes së biznesmenit.

Deri tani, hetimet sugjerojnë se 29-vjeçari ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në ekzekutimin me armë zjarri të M. M./E. H., i cili u qëllua teksa ndodhej në automjetin e tij, pranë biznesit të tij në Unazën Jugore të Elbasanit.

Policia njofton se hetimet vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu