Një nga operacionet më të mëdha ndërkombëtare kundër krimit të organizuar shqiptar, i koduar “Ura”, është finalizuar me sukses në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe italiane. Në një konferencë për mediat, drejtues të Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë së Shtetit bënë publike detaje të rëndësishme të aksionit që shënon një goditje të fortë ndaj një grupi të strukturuar kriminal me qendër në Durrës.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se ky grup ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta dhe pastrimin e parave. Ai theksoi se janë ekzekutuar 42 masa sigurie nga 52 të lëshuara, ndërsa nuk dha emra konkretë për shkak të sekretit hetimor.

Prokurori italian i Barit, Roberto Rossi, e cilësoi mafien shqiptare si një “forcë ndërkombëtare shumë të madhe”, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për ta luftuar atë, të cilën e quajti “një kancer”.

Ndërkohë, prokurori i SPAK, Vladimir Mara, bëri të ditur se operacioni është mbështetur fuqishëm nga analiza e të dhënave të siguruara përmes platformës së enkriptuar Sky ECC, e cila ndihmoi në identifikimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të grupit.

Mara sqaroi se aktiviteti i grupit fillonte në Shqipëri dhe shtrihej në Itali, vende të tjera të BE-së dhe deri në Amerikën e Jugut. Janë dokumentuar edhe raste të korrupsionit të nivelit të lartë, ku mes të ndaluarve janë edhe dy punonjës të Policisë së Shtetit, njëri prej të cilëve mbante një post të lartë, si dhe zyrtarë shtetërorë e një avokat.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 3 milionë euro cash, si dhe pasuri të tjera si restorante, shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, konfirmoi se në këtë operacion janë angazhuar 349 efektivë policie, duke theksuar rëndësinë e këtij aksioni për pastrimin e strukturave nga krimi i organizuar.

Ky është një nga operacionet më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri kundër krimit të organizuar dhe sinjalizon një fazë të re të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër mafies shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu