
Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ka zhvilluar gjatë javës së fundit një sërë kontrollesh intensive në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe në zonat liqenore e lumore të vendit.
Ky operacion ka si objektiv kryesor garantimin e sigurisë së pushuesve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese, veçanërisht në sezonin turistik, ku prania në ujë është e shtuar dhe rreziqet potenciale janë më të larta.
Gjatë kontrolleve janë verifikuar 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit detar. Mjetet e bllokuara përfshijnë 24 Jet Ski, 5 skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike të pajisura me motorë uji.
Shkeljet më të shpeshta përfshijnë lundrimin brenda perimetrit të sigurisë, ushtrimin e aktivitetit jashtë zonave të miratuara dhe mungesën e dokumentacionit të nevojshëm. Në 13 raste, drejtuesit e mjeteve janë kapur duke lundruar në zona të rrezikshme për pushuesit dhe janë ndëshkuar me masa administrative prej 100,000 lekësh secili.
Ndërkohë, në 10 raste të ndryshme nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë për t’u ardhur në ndihmë 18 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta ose defekteve teknike në mjetet e tyre lundruese.
Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë me përpikëri rregullat e sigurisë, të mos shkelin perimetrin e përcaktuar për lundrim, të qëndrojnë brenda zonave të lejuara dhe të pajisen me mjetet e shpëtimit.
Policia e Shtetit inkurajon qytetarët dhe pushuesit që të denoncojnë çdo shkelje të sigurisë detare në numrin falas 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe marrjen e masave ndaj çdo shkelësi.