Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni që po zhvillohet në Greqi për goditjen e një grupi kriminal shqiptaro-grek, i cili kryente gjobvënie, shkatërrim prone me eksploziv e zjarr, si dhe ishte përfshirë në tentativë vrasje.
Mësohet se drejtuesi i grupit kriminal është shqiptari Edmond Përbashaj, i burgosur në burgun e Diavatas, i dënuar me 20 vjet burg për grabitje me armë.
Përbashaj ishte transferuar në Diavata nga burgu i Stavrakiout në Janinë, pasi në fillim të korrikut ishte zbuluar se bashkëpunonte me persona nga jashtë por dhe zyrtarë të burgut për shpërndarjen e lëndëve narkotike por dhe futjen e parave më pas në burg.
Madje gjatë operacionit të atëhershëm, disa të burgosur i vunë flakën dyshekëve në qeli. Në një nga bisedat e zbuluara nga media greke në korrik, Përbashaj fliste me Zv/Drejtorin e Burgut të cilin e informonte se priste trafikimin e 100 kg kokainë.
Në operacionin e sotëm mësohet se janë arrestuar 23 persona si dhe janë sekuestruar armë, drogë e para.
Mësohet se është zbardhur ngjarja e fillimit të tetorit në Singrou të Athinës ku u plagosën dy persona, njëri prej të cilëve me armë, ndërkohë janë zbardhur dhe shpërthimi me eksploziv në një biznes automjetesh dhe zjarrvënia në një fast-food.
Detaje të reja priten në orët në vijim./balkanweb