Policia e Durrësit ka dhënë detaje lidhur me operacionin e zhvilluar një ditë më parë me dy të arrestuar Arbi Haxhiu dhe Aldi Mustafa. Drejtori i policisë, Vilson Bala tha në një deklaratë për mediat se dy të arrestuarve iu gjet një armë zjarri tip pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.

39-vjeçari Aldi Mustafa ishte në kërkim për ngjarjen e 13 gushtit në lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar, ku në banesën e Ilir Gjeçajt u vendos një sasi lënde plasëse. Mustafa është pjesë e grupit të Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe edhe si ‘Rrumi i Shijakut’ dhe i dënuar më parë për kanosje e drogë.

Mustafa është arrestuar edhe në shtator të vitit 2023 për armëmbajtje pa leje, ndërsa më 30 gusht 2021 u arrestua me dy të tjerë pasi dyshohet se po planifikonin një vrasje.

Më 3 prill të vitit 2023, Mustafa i shpëtoi një atentati, ku një sasi tritoli ishte vendosur në gomën e pasme të automjetit tip “Golf 6” me të cilin ai udhëtonte. Mustafa është dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe ka vuajtur një dënim prej 10 vitesh burg në Gjermani.

“Po në kuadër të zbatimit të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në vijim të punës së pandërprerë dhe goditjeve të njëpasnjëshme për këtë qëllim, mbrëmjen e djeshme strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun”.

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. M., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.

39-vjeçari A. M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj.”, tha drejtori i policisë Vilson Bala./shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu