Policia e Shtetit ka zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit një operacion të gjerë kombëtar të koduar “Hapësirat publike”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme dhe ndëshkimin e shkelësve.

Nga veprimet e kryera në të gjitha qarqet e vendit, u evidentuan 133 raste të zaptimit dhe shfrytëzimit të kundërligjshëm të hapësirave publike dhe private, të përdorura kryesisht si vendparkime apo lavazhe pa leje. Si rezultat, 10 persona u arrestuan dhe 123 të tjerë u proceduan penalisht.

Në Tiranë u konstatuan 78 raste, ku u arrestuan 10 shtetas dhe u proceduan 68 të tjerë. Raste të tjera u regjistruan në Shkodër (16), Lezhë (11), Korçë (6), Fier dhe Lushnjë (6), Vlorë e Sarandë (4), Dibër (4), Elbasan (3), Berat (2), Durrës (2) dhe Gjirokastër (1).

Gjatë kontrollit, Policia Rrugore dhe shërbimet e rendit konstatuan gjithashtu 45 raste të parkimeve të gabuara që pengonin qarkullimin normal të mjeteve dhe qytetarëve – 37 në Tiranë, 3 në Elbasan, 2 në Fier, 2 në Kukës dhe 1 në Durrës.

Sipas njoftimit zyrtar, janë evidentuar edhe 3 raste të punësimit të paligjshëm, ndërsa materialet procedurale i janë referuar prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit thekson se aksioni kundër pushtimit të hapësirave publike dhe informalitetit do të vijojë intensivisht në të gjitha qarqet, duke paralajmëruar masa ndëshkimore për këdo që shkel ligjin.

Në fund, institucioni apelon qytetarët të mos cenojnë hapësirat publike dhe të respektojnë ligjet në fuqi, si dhe të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë për të kontribuar në garantimin e rendit, sigurisë dhe zbatimit të ligjit në vend.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu