
Durrës, 23 Maj 2025 – Një operacion i befasishëm me rrezikshmëri të lartë është zhvilluar në orët e fundit nga forcat speciale RENEA dhe Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit. Aksioni u zhvillua në një restorant në zonën e Gjirit të Lalzit, ku u arrestuan shtatë persona, mes tyre emra të njohur për drejtësinë shqiptare dhe atë ndërkombëtare.
Në pranga përfunduan:
-
Xhevdet Plaku, i njohur dhe me nofkën “Akili”, 45 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për trafik droge. Ai ishte arratisur nga burgu i Ankonës në janar 2025 dhe në momentin e ndalimit mbante me vete një pistoletë me fishek në fole, gati për qitje.
-
Flobens Meçja, alias Gega, alias Drini, 43 vjeç, nga Shkodra, i kërkuar nga SPAK për disa akuza të rënda si: pjesëmarrje në organizatë kriminale, kryerje veprash penale nga grup i strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për vrasje. Me vete kishte dokumente të falsifikuara dhe një armë zjarri.
-
Voltan Xhani, 39 vjeç, rezident në Holandë, i shpallur në kërkim për trafik të mjeteve motorike dhe përfshirje në një vrasje të ndodhur në Shkodër.
-
Jugert Xhani, 35 vjeç, akuzohet për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake, moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit. Gjatë kontrollit iu gjet një pistoletë dhe municion luftarak.
Në pranga ranë edhe tre shtetas të tjerë: O.H., F.Q. dhe A.H., të cilët dyshohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”.
Policia njoftoi se kishte marrë informacione operative për praninë e individëve të armatosur në restorant dhe se pas analizës së rrezikut, ndërhyrja u realizua me masa të rrepta sigurie nga RENEA dhe forcat e posaçme, duke shmangur çdo incident.
Gjatë operacionit, përveç arrestimeve, janë sekuestruar katër armë zjarri, një sasi parash (në euro dhe lekë) si dhe sende të tjera që do t’i nënshtrohen analizës hetimore.
Policia e Shtetit deklaroi se ky operacion është dëshmi e angazhimit të pandërprerë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mbajtjes së armëve pa leje, ndërsa hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të personave të arrestuar.
View this post on Instagram