
Vlorë, 25 gusht – Policia Kufitare Vlorë ka ndërhyrë sot në dy situata emergjente në Sarandë dhe Palasë, duke shpëtuar pushues që rrezikoheshin në det për shkak të defekteve teknike dhe kushteve të vështira të lundrimit.
Sarandë – Një jaht me flamur maltez, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, pësoi defekt dhe filloi të merrte ujë. Kapiteni kërkoi ndihmë dhe falë reagimit të menjëhershëm, shërbimet e Policisë Kufitare arritën ta shoqërojnë në breg dhe të rimorkionin jahtin drejt Portit të Limionit.
Palasë – Në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në një mjet lundrues u gjendën në rrezik nga deti i trazuar. Policia Kufitare ndërhyri menjëherë, duke i nxjerrë pushuesit të sigurt në breg dhe duke ankoruar mjetin në molin e Palasës.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të strukturave të Policisë Kufitare, u shmangën pasoja të rënda dhe u garantua siguria e jetës së pushuesve dhe e mjeteve të tyre lundruese njofton policia.