Një efektiv i forcave speciale “Shqiponja” ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni policor për kapjen e një personi të shpallur në kërkim në qytetin e Peshkopisë.

Ngjarja ndodhi në momentin kur forcat e policisë ndërhynë në një banesë trekatëshe për të arrestuar 35-vjeçarin Klodian Llomi (Mazari), i cili kërkohej për disa vepra penale të rënda.

Gjatë ndërhyrjes, efektivi i “Shqiponjave”, Gentjan Meda, 40 vjeç, është rrëzuar nga një mur rrethues në përpjekje për të kapur të shumëkërkuarin, duke pësuar dëmtime trupore.

Fillimisht ai mori ndihmën e parë në spitalin e Peshkopisë, ndërsa më pas u transportua me helikopter drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor.

Ndërkohë, policia arriti të vërë në pranga 35-vjeçarin Llomi, i cili akuzohet për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, të kryera në Itali.

Sipas autoriteteve, Gjykata shqiptare ka njohur vendimin e Gjykatës së Apelit të Romës, sipas të cilit 35-vjeçari duhet të vuajë dënimin e mbetur prej 6 vite e 7 muaj burg.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu