
Një operacion i koordinuar dhe intensiv për shuarjen e zjarreve ka rezultuar i suksesshëm në Njësinë Administrative Rrasë, në bashkinë Belsh, ku flakët kishin përfshirë një sipërfaqe të gjerë me rrezik për zonat e banuara.
Falë reagimit të menjëhershëm të forcave zjarrfikëse nga MZSH Belsh, Cërrik, Gramsh, Elbasan, Peqin dhe Njësia Nerat Kuçovë, si dhe me ndihmën e dy mjeteve zjarrfikëse dhe trupave të Forcave të Armatosura, u arrit të shmangej përhapja e flakëve drejt banesave dhe objekteve të tjera të ndjeshme.
Në operacion u përfshinë edhe dy helikopterë, të cilët ndërhynë nga ajri për të neutralizuar vatrat e zjarrit në një terren të vështirë dhe me akses të kufizuar nga toka.
Aktualisht, në zonë ndodhen ende efektivë të MZSH-së dhe punonjës të bashkisë, të cilët po kryejnë krehjen e territorit për të shmangur rindezjen e ndonjë vatre të fshehur.
Ndërkohë, në kuadër të ndihmës ndërkombëtare, Italia ka dërguar trupa dhe dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, pas kërkesës së Shqipërisë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Ata po operojnë në zonën e “Liqenit të Luleve” në Parkun Kombëtar të Lurës, ku situata paraqitet ende kritike.
Po ashtu, Greqia ka ardhur në ndihmë me dy avionë Canadair për shuarjen e vatrave në Dukat, Vlorë.
Forcat operacionale, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, po vijojnë punën në të gjitha vatrat aktive në vend, me synimin për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe pasuritë natyrore e private.