
Në sajë të garantimit të sigurisë publike në institucionet e arsimit parauniversitar, Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim të ri sa i takon oficerëve që do vendosen në shkollat e arsimit bazë apo gjimnaze, bazuar te numri i nxënësve.
Vendimi i plotë, më poshtë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 81, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave vendosi:
I. Në vendimin nr.600, datë 9.10.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
-Miratimin e shërbimit të sigurisë publike në institucionet e arsimit parauniversitar, si më poshtë vijon:
a) Institucionet e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, arsimit të mesëm profesional dhe arsimit të mesëm të orientuar, që kanë mbi 80 nxënës, të kenë 1 oficer sigurie;
b) Institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 350 nxënës, të kenë 1 oficer sigurie;
c) Institucionet e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, institucionet e arsimit të mesëm të orientuar, institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 900 nxënës, të kenë 2 oficerë sigurie;
ç) Institucionet e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbi 700 nxënës, të kenë 2 oficerë sigurie.
Numri i oficerëve të sigurisë dhe shpenzimet përkatëse përballohen brenda numrit total të punonjësve dhe fondeve buxhetore, të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Për institucionet e arsimit të mesëm profesional, shpenzimet përkatëse përballohen brenda numrit total të punonjësve dhe fondeve buxhetore, të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional/tvklan.