
Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar për rritjen e rasteve të mashtrimeve online që lidhen me oferta të rreme për kredi, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar. Sipas Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese. Policia thekson se këto oferta synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare, si numra llogarish bankare apo dokumente identifikimi. Në apelin e saj, Policia e Shtetit këshillon qytetarët të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar, të verifikojnë gjithmonë informacionin përpara se të aplikojnë për kredi dhe të komunikojnë vetëm përmes kontakteve zyrtare të bankave, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët përkatëse.






