
Ragip Gila, 30 vjeç, ka dhënë dëshminë e parë në polici pas arrestimit si autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso, për shkak të një problemi personal me të. Erogeni më ka kërcënuar dhe kemi pasur probleme. Sillet si i fortë dhe më ka çuar fjalë. Konflikti ka qenë vetëm me të dhe unë doja të qëlloja vetëm atë”, ka deklaruar Gila para oficerëve hetimorë.
View this post on Instagram
Gila u arrestua pas një ndjekjeje intensive nga policia. Gjatë tentativës për t’i shpëtuar kapjes, ai është rrëzuar nga një lartësi pranë shinave të trenit, në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar rëndë njërën këmbë. Në momentin e arrestimit, policia i bëri thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën.
“E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb shumë këmba”, mësohet të jetë shprehur ai pak para se të vihej në pranga.
Megjithatë, pavarësisht deklaratës së dhënë nga i arrestuari, policia po e trajton me rezervë këtë version dhe po heton pistën e një porosie nga persona të tjerë për eliminimin e Erogen Vasos, 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdes mjekësor në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të vrasjes së dyfishtë.