Në kulturën amerikane, disa ide të gabuara mbi ushqimin vazhdojnë të qarkullojnë si refrene të një kënge që nuk del nga mendja. Për të ndriçuar të vërtetën, pyetëm 10 nga ekspertët më të njohur të ushqimit në SHBA:
Cili është një mit ushqimor që do të dëshironit të zhdukej — dhe pse?

Ja çfarë ndanë ata me ne shkruan New York Times:

Miti 1: Frutat dhe perimet e freskëta janë gjithmonë më të shëndetshme se ato të konservuara, të ngrira apo të thata
Studimet tregojnë se variantet e konservuara, të ngrira apo të thata mund të jenë po aq ushqyese sa ato të freskëta. Për më tepër, ato janë më të qëndrueshme, më të përballueshme dhe ndihmojnë që të keni gjithmonë produkte të shëndetshme në shtëpi. Kujdes: lexoni etiketat, pasi disa përmbajnë sheqer, kripë apo yndyrna të ngopura.

Miti 2: E gjithë yndyra është e keqe
Jo të gjitha yndyrat janë të dëmshme. Yndyrnat e shëndetshme — si ato mono dhe poli të pangopura — janë të rëndësishme për funksionin qelizor, prodhimin e hormoneve dhe energjinë. Ndërsa yndyrnat e ngopura dhe trans duhen kufizuar, produktet “pa yndyrë” nuk janë domosdoshmërisht më të mira.

Miti 3: “Kaloritë që hyjnë, kaloritë që dalin” janë faktori kryesor për shtimin në peshë
Balanca kalorike ka rëndësi, por cilësia e ushqimit është po aq, në mos më shumë, e rëndësishme. Ushqimet ultra-përpunuara ndikojnë në shtimin e yndyrës trupore dhe në rregullimin e metabolizmit.

Miti 4: Personat me diabet tip 2 nuk duhet të konsumojnë fruta
Frutat e plota janë të pasura me fibra, vitamina dhe antioksidantë, dhe ndihmojnë në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Ato janë të dobishme edhe për personat me diabet tip 2, kur konsumohen në mënyrë të moderuar.

Miti 5: Qumështi bimor është më i shëndetshëm se qumështi i lopës
Jo gjithmonë. Shumë lloje qumështi bimor përmbajnë më pak proteina dhe shpesh kanë përbërës të shtuar si sheqer apo kripë. Zgjedhja më e mirë varet nga nevojat individuale dhe përbërja e produktit.

Miti 6: Patatet e bardha janë të dëmshme
Patatet janë burim i mirë i vitaminës C, kaliumit dhe fibrave, sidomos kur konsumohen me lëkurë. Mënyra e përgatitjes është çelësi: të pjekura, të ziera apo të gatuara me ajër të nxehtë janë alternativa të shëndetshme.

Miti 7: Fëmijët nuk duhet të konsumojnë produkte me arra në vitet e para
Ekspertët tani rekomandojnë prezantimin e produkteve me arra — si gjalpë kikiriku të holluar — që në moshën 4–6 muajsh, përveç rasteve me ekzemë të rëndë apo alergji të njohura.

Miti 8: Proteina bimore është e paplotë
Ushqimet bimore përmbajnë të gjitha 20 aminoacidet, përfshirë të 9 esencialet. Mjafton të konsumoni një larmi ushqimesh gjatë ditës për të siguruar një profil të plotë proteinik.

Miti 9: Soja rrit rrezikun e kancerit të gjirit
Studimet nuk kanë konfirmuar një lidhje të drejtpërdrejtë. Përkundrazi, soja përmban përbërës të dobishëm për shëndetin e zemrës dhe mund të ofrojë mbrojtje kundër disa llojeve të kancerit.

Miti 10: Udhëzimet ushqimore ndryshojnë vazhdimisht
Në fakt, parimet themelore të një diete të ekuilibruar — si kufizimi i sheqerit, kripës dhe yndyrnave të ngopura — kanë mbetur të pandryshuara për dekada. Siç thotë Michael Pollan: “Ha ushqim. Jo shumë. Kryesisht bimë.”/ NYT

Autorja:

Sophie Egan, eksperte në ushqim, shëndet dhe qëndrueshmëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu