Nxehtësia ekstreme nuk është vetëm një kërcënim për shëndetin e përgjithshëm dhe mjedisin, por po rezulton gjithnjë e më e dëmshme edhe për shëndetin riprodhues, si tek burrat ashtu edhe tek gratë. Ky është alarmi i ngritur nga kongresi europian i Embriologjisë dhe Mjekësisë së Riprodhimit (ESHRE), që po mbahet këto ditë në Paris, ku temperaturat kanë arritur deri në 38 gradë.

Sipas ekspertëve, temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe sasinë e spermatozoideve, por edhe në rezervën e vezores së grave. Ndikimi negativ vjen edhe nga faktorë të tjerë të lidhur me ndryshimet klimatike, si ndotja e ajrit, përmbytjet dhe zjarret, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Fertiliteti po bie: Dëme në spermatozoide dhe vezore

“Një rritje edhe vetëm me një gradë e temperaturës në zonën testikulare ul ndjeshëm cilësinë dhe numrin e spermatozoideve”, shpjegon Alberto Vaiarelli, gjinekolog dhe koordinator shkencor në qendrën e fertilitetit Genera në Romë. “Sistemi ynë riprodhues është jashtëzakonisht i brishtë dhe ndikohet lehtë jo vetëm nga klima, por edhe nga sëmundjet, stresi dhe mënyra e jetesës”.

Nga ana tjetër, edhe gratë nuk janë të mbrojtura: rezervat e vezoreve mund të ulen, duke ndikuar negativisht si në mundësinë e konceptimit natyral, ashtu edhe në suksesin e trajtimeve të fertilitetit.

Kriza e natalitetit: Nuk bëhen më fëmijë

Përtej faktorëve mjedisorë, një tjetër problem shqetësues është mungesa e dëshirës për të bërë fëmijë. Në Itali, numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm: nga 379.900 lindje në vitin 2023 në vetëm 370 mijë në 2024, shumë larg një milion lindjeve që kishte në vitin 1964.

Sipas të dhënave, 48 milionë çifte në botë përballen me infertilitet, ndërsa 186 milionë individë kanë probleme riprodhuese. Por problemi kryesor nuk është vetëm infertiliteti, por mungesa e dëshirës për të pasur fëmijë, e nxitur nga pasiguria ekonomike, sociale dhe nga mënyra moderne e jetesës.

Alarmi: Nuk ka më donatore vezësh

Një tjetër alarm i ngritur në kongres është mungesa e donatoreve të ovociteve. Edhe Spanja, që për vite ka qenë lider në këtë fushë, nuk po arrin të mbulojë më kërkesën, pasi shpërblimi prej 1.000 eurosh nuk justifikon më vështirësitë dhe stresin fizik e psikologjik të procesit.

Pse nuk mbeteni shtatzënë? Jo gjithmonë është problemi mjekësor

“Shpesh vijnë çifte që nuk mbeten shtatzënë, por kur bëjmë analizat, zbulojmë që nuk kanë pasur as marrëdhënie të mjaftueshme në periudhën fertile, për shkak të punës, stresit dhe ritmit të jetës moderne”, tregon Vaiarelli.

Nëse gruaja është nën 35 vjeç, këshillohet të konsultohet me mjekun pas 12 muajsh tentimesh pa sukses. Nëse është mbi 40 vjeç, nuk duhet të presë më shumë se 6 muaj.

Miti i riprodhimit të asistuar

Shumë çifte mbështeten verbërisht te rirprodhimi i asistuar, pa ditur se suksesi nuk është aq i garantuar sa besohet. Për gratë 30-vjeçare, suksesi në tentativën e parë është mes 50-60%, ndërsa për ato 40-vjeçare bie në vetëm 9%. Vetëm në përpjekjen e gjashtë mund të arrijë deri në 42%, por pak gra e ndjekin rrugën deri në fund.

“Për këtë arsye, trajtimi duhet të jetë i personalizuar, i përshtatur për çiftin, duke marrë parasysh moshën, rezervën ovariane dhe cilësinë e spermës”, përfundon Vaiarelli.

Në një botë që ndryshon me ritme alarmante, mbrojtja e shëndetit riprodhues nuk është më vetëm një çështje individuale, por një sfidë globale për mbijetesën e njerëzimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu