
Në seancën e sotme plenare, ish-kryeministri Sali Berisha është përplasur ashpër me ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, lidhur me debatet për projektligjin “Për Barazinë Gjinore dhe Mosdiskriminimin”.
Në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, Berisha ironizoi fjalën e ministrit, duke e akuzuar për “injorancë” dhe keqinterpretim të termave.
“Së pari, injoranca nuk është kurrë argument. Parafolësi duket se fjalën binar e ngatërron me fjalën bipolar. Por, Zot fale se ç’di të thotë. Fjala binar në konceptin tim nuk është kurrë fyerje. Binar quhet burri dhe gruaja. Gjini binare do të thotë mashkull dhe femër. Ti që ngrihesh dhe thua fyerje, duhet të ndjehesh keq me veten tënde. Është e turpshme. Nuk e bën asnjë nxënës i klasës së katërt një gafë të tillë.”
Berisha shtoi se nuk kishte fyer askënd, por kërkoi që të sqaroheshin referencat për direktivat e Bashkimit Europian, duke theksuar se sipas ekspertëve të së drejtës europiane “nuk ekziston asnjë direktivë për largimin nga binariteti apo për përshtatjen me identitete të shumëfishta gjinore”.
“Dyfishësia dhe shumëfishësia, që ta mësoni ju, është binaritet, multibinaritet. Nuk kanë lidhje me polaritetin. Atë e di më shumë se kushdo tjetër kryetari yt. Shko dhe pyete kryetarin tënd të të shpjegojë se çfarë është bipolariteti, ai ta thotë mirë.” – shtoi ai me tone ironike.
Ish-kryeministri theksoi gjithashtu: “As fjala binar, as fjala gej nuk mund të jenë fyerje kurrë. Jo, nuk janë fyerje këto për njeriun që beson në mosdiskriminim. Unë jam autori i një ligji që dënon diskriminimin për orientimin seksual.”
Në fund të deklaratës, Berisha e cilësoi reagimin e ministrit si “turp dhe manipulim të qëllimshëm për të devijuar debatin politik”.
Replika e Ministrit Gogu:
Në përgjigje, ministri i Shtetit Toni Gogu i kujtoi Berishës se ligji për barazinë gjinore “nuk përkufizon familjen” dhe “nuk prek Kodin e Familjes”, duke e akuzuar për shtrembërim të qëllimshëm të fakteve.
“Po jua shpjegoj edhe një herë. E keni stigmatizuar për orientimin seksual dhe keni thënë që për shkak të tij po bën politikë për veten. Komisioni Europian ka theksuar qartë se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë e Kartës Themelore të Qytetarisë Europiane.” – tha Gogu nga foltorja e Kuvendit.
Ai shtoi se projektligji është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe synon mbrojtjen e çdo qytetari pa dallim gjinor, duke theksuar se “armiqtë e familjes shqiptare janë dhuna dhe varfëria, jo pabarazia gjinore apo orientimi seksual.”







