
Pagesat me kartë po shënojnë një rritje të shpejtë këtë vit, madje për herë të parë ato kanë kaluar në numër tërheqjet e parasë cash në ATM.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 12.57 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 42% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Për çdo 100 veprime të kryera me karta pagesash (pa përfshirë veprimet me para elektronike), afërsisht 52 prej tyre ishin pagesa në terminale POS, ndërsa diferenca ishin tërheqje apo depozitime paraja cash.
Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 48.3 miliardë lekë, me një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të matura në vlerë monetare, pagesat me kartë përbënin 17.4% të totalit të veprimeve me karta, në rritje nga niveli prej 16.3% i vitit të kaluar.
Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht shoqërohet me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që vlera e pagesave për gjysmën e dytë të vitit të jetë më e lartë.
Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në Shqipëri.
Megjithatë, përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë.
Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 27 969, në rritje të mëtejshme me 28.4% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.
Një nga operatorët e mëdhenj globalë të pagesave me kartë, Mastercard, këtë vit po e mbështet zgjerimin e pagesave me kartë me një program të shtimit të pajisjeve POS me kushte lehtësuese për bizneset.
Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi. Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2024 numri i kartave aktive arriti në 1.57 milionë, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë./Monitor