Pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka marrë një valë urimesh nga liderë të rëndësishëm ndërkombëtarë, të cilët e kanë përgëzuar për mandatin e tij të katërt dhe fitoren e thellë të Partisë Socialiste.

Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi këtë si një fitore historike për socialistët dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. “Mezi presim të vazhdojmë punën tonë së bashku për njerëzit që punojnë në të dy vendet tona,” shkroi ai në platformën X.

Kryeministri kroat Andrej Plenković uroi Ramën për rezultatin dhe theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, ndërsa paralajmëroi pjesëmarrjen në Samitin e Komunitetit Politik Evropian më 16 maj në Tiranë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përveç urimeve për fitoren, vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë për paqen në Ukrainë dhe shprehu dëshirën për thellimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.

Nga Spanja, kryeministri Pedro Sánchez theksoi se rezultati dëshmon mbështetjen e shqiptarëve për rrugën europiane dhe përgëzoi Ramën për përpjekjet e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Rama u përgjigj me mirënjohje, duke e cilësuar Sánchez si një aleat të guximshëm dhe të afërt.

Urim të veçantë përcolli edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila theksoi bashkëpunimin strategjik mes Italisë dhe Shqipërisë dhe vlerësoi përkushtimin e përbashkët për stabilitetin rajonal dhe integrimin europian. Në një reagim të përzemërt, Rama e falënderoi Melonin me një mesazh miqësor në italisht, duke nënvizuar afërsinë dhe respektin mes dy vendeve.

Këto urime ndërkombëtare reflektojnë jo vetëm vlerësimin për rezultatin zgjedhor, por edhe për rolin që Shqipëria po luan gjithnjë e më shumë në arenën rajonale dhe ndërkombëtare nën udhëheqjen e Ramës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu