
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali, ku një 35-vjeçar është vrarë dhe copëtuar nga nëna dhe partnerja e tij. Viktima, Alessandro Venier, u gjet i pajetë në një kosh me gëlqere, përpjekje kjo për të fshehur krimin.
Të arrestuara për këtë krim janë Marylin Castro Monsalvo, 30 vjeç, partnerja e viktimës, dhe Lorena Venier, 62 vjeç, nëna e tij.
Sipas hetimeve paraprake, sherri fatal nisi pas një debati të ndezur për një darkë të premtuar që Alessandro kishte harruar të përgatiste. Nëna e tij ka marrë përsipër autorësinë e krimit, duke deklaruar: “Isha unë. E di që ajo që bëra ishte monstruoze.”
Të dyja gratë dyshohet se i kanë administruar viktimës një dozë të lartë ilaçesh, që më pas shkaktuan vdekjen e tij. Trupi u copëtua me sëpatë dhe u fsheh për të mos lënë gjurmë.
Pavarësisht natyrës brutale të krimit, në banesë nuk janë gjetur gjurmë gjaku, çka i bën hetuesit të dyshojnë se skena e ngjarjes është pastruar me kujdes.
Familja jetonte në kushte të vështira ekonomike, ndërsa sipas hetimeve, nëna e shihte të birin si një barrë, pasi ishte rritur pa ndihmën e bashkëshortit dhe kishte sakrifikuar gjithçka për të.
Ngjarja vijon të jetë në qendër të vëmendjes mediatike dhe hetimet janë ende në vijim.