Sa është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, shumë urdhra ekzekutivë të Donald Trump kanë “trazuar” politikën edhe në rang global. Një prej dekreteve është ai që “shuajti” shpresat e afganëve në Shqipëri për të fluturuar drejt SHBA-ve. Lidhur me këtë, kanë shkruar edhe media të huaja prestigjoze. Në një artikull analitik, Euronews thotë se “në Shqipëri, afganët po prisnin prej kohësh aprovimin e vizës amerikane”, pas premtimit të bërë qysh në kohën e administratës së Biden.

“Më shumë se 3200 afganë, shumë prej të cilëve janë të kualifikuar për të marrë vizë, po qëndrojnë në Shqipëri. Ata kanë investuar për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm për të vazhduar me aplikimet për në SHBA. Por Trump e ka prerë në mes këtë ëndërr! Programi Amerikan i Pranimit të Refugjatëve është pezulluar nga 27 Janari, për të paktën 3 muaj”, nënvizohet më tej.

yacht hotel sarande

Në Shëngjin, në qytetin bregdetar, që është rreth 70 km larg kryeqytetit shqiptar, janë strehuar përkohësisht qindra afganë që prej 2021-it. Tanimë atyre u është thënë që duhet të mësohen me jetesën në Shqipëri dhe të integrohen në shoqëri. Një grua afgane është shprehur për Euronews se “nuk mund të integrohet në Shqipëri, nuk di gjuhën dhe sipas saj është shumë e vështirë të gjendet një vend pune”.

“Nuk mund të jetoj këtu”, ka thënë ajo.

Ndërsa “Reuters”, shpjegon këtë situatë, nisur nga historitë personale të afganëve që ndodhen në vendin tonë. “Ali Amini ishte duke numëruar ditët për të filluar një jetë të re në Shtetet e Bashkuara, derisa javën e kaluar gjithçka mori kthesë. Tani ai është në dilemë dhe i shqetësuar, nëse ekziston mundësia që të rikthehet në vendlindje. Ai kishte bërë gati valixhet për fluturimin drejt Amerikës, njësoj si mijëra të tjerë”, shkruan “Reuters”.

“Nëse rikthehemi, ata do na vrasin”, thotë Amini për talibanët, teksa po qëndron në Shëngjin. Ai ka mbërritur atje vetëm një muaj më parë, pasi kishte siguruar vizat për gruan dhe tre fëmijët.

Ai e shumë të tjerë në Pakistan e Katar, presin me ankth çdo ditë një lajm të ri në telefonat e tyre. E para se Trump duket i vendosur që të mos bëjë hapa pas me këto vendime dhe së dyti a do mundet Shqipëria të zotohet për t’i mbajtur afganët akomë më gjatë në këto resorte turistike?! Kjo pasi dakordësia fillestare, si vend anëtar i NATO-s, ishte për një strehim të përkohshëm të refugjatëve. E për këta të fundit, Trump duket sikur s’ka empati!/klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu