Ndërsa bota e lidh zakonisht Rumaninë me Drakulën, historia e vampirëve nis, të paktën zyrtarisht, jo në Transilvani, por në një fshat të vogël në Serbi. Pikërisht në Kisiljevo, 300 vite më parë, është dokumentuar për herë të parë fenomeni i një “vampiri” – dhe pikërisht aty është regjistruar zyrtarisht për herë të parë fjala “vampir” në një dokument europian.

Sot, ky fshat i vogël në lindje të Serbisë po kërkon të rimarrë titullin si djepi i vampirëve, duke shpresuar të tërheqë turistë të pasionuar pas historive të errëta dhe të mbuluara me mister.

Legjenda e Petar Blagojević

Sipas kronikave lokale, në vitin 1725, banorët e Kisiljevos shkuan në qytetin Veliko Gradiste për të kërkuar leje nga autoritetet austriake të hapnin varrin e një fshatari të quajtur Petar Blagojević, i cili, sipas tyre, ngrihej natën nga varri dhe vriste njerëz të fshatit. Në vetëm pak ditë, kishin humbur jetën tetë persona.

Historiani Nenad Mihajlović shpjegon se kjo ngjarje është e dokumentuar zyrtarisht dhe mban firmën e një oficeri austriak, Johan Frombald, që mbikëqyri hapjen e varrit. Raporti, i publikuar më pas në gazetën austriake “Wienerisches Diarium” më 21 korrik 1725, përmend për herë të parë fjalën “vampir”.

Pamje tronditëse nga varri

Sipas dëshmive të asaj kohe, trupi i Blagojević ishte i paprekur, me gjak të freskët që i rridhte nga goja dhe veshët. “Kur i ngulën huin prej druri dëllinje në trup, gjaku shpërtheu. Aty u bindën të gjithë që kjo nuk ishte shaka”, tregon kronikani lokal Mirko Bogicević, ndërsa tregon varrin e supozuar të vampirit në një pjesë të braktisur dhe të mbuluar me shkurre të varrezës së vjetër të fshatit.

“Turizëm i errët” apo magji kulturore?

Autoritetet lokale po përpiqen të kthejnë këtë histori në një atraksion turistik. “Disa e quajnë ‘turizëm i errët’, por unë preferoj ta quaj ‘turizëm mistik’”, thotë Dajana Stojanović, drejtore e Zyrës së Turizmit në Veliko Gradiste. “E gjithë kjo zonë është e mbushur me mite, legjenda dhe mistere.”

Edhe kryetari i bashkisë, Dragan Milić, e pranon se kjo histori është një aset i pashfrytëzuar. “Vampiri i Kisiljevos, Petar Blagojević, është një potencial i madh turistik. Ne po punojmë që të tërheqim investitorë që ta zhvillojmë këtë projekt.”

Përtej legjendës

Në fshat po diskutohet mundësia e transformimit të një mulliri të vjetër afër varrezës në hotel tematik për turistët. Po ashtu, mendohet krijimi i tureve që përfshijnë varrin e vampirit dhe Liqenin e Argjendtë, ku besohet se janë shpërndarë hirin e trupit të djegur të Blagojević.

“Serbia ka të drejtë të mbajë titullin e vendit të parë të vampirëve. Kjo nuk është thjesht legjendë. Është një histori e dokumentuar, që sot po na ndihmon të rindërtojmë identitetin turistik të rajonit tonë,” përfundon Mihajlović.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu