
Europa është zhytur në valën e parë të të nxehtit ekstrem për këtë vit, me temperatura që kanë kaluar 42°C në shumë vende dhe pritet të zgjasin deri më 3 korrik. Në Spanjë, qyteti El Granado në provincën Huelva shënoi një rekord historik prej 46°C, temperatura më e lartë ndonjëherë në qershor për këtë vend.
Një anticiklon i fuqishëm afrikan ka përfshirë gjithë kontinentin nga veriu në jug, duke rritur temperaturat deri në 10 gradë mbi mesataren sezonale. Nën këtë valë të rrezikshme janë edhe Belgjika, Zvicra, Britania e Madhe dhe gjithë Europa Jugore.
Alarm në qytetet kryesore, pezullohen punët në natyrë
Në Itali, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur bollino rosso (alarm i kuq) për 21 qytete, përfshirë Romën, Firencen, Napolin dhe Bolognën. Në Firence, për pesë ditë rresht, termometri nuk ka zbritur poshtë 40 gradëve, një rekord që nuk është regjistruar më parë. Në Siçili dhe Liguria është ndaluar puna në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Edhe në Francë situata është kritike. Në Paris u regjistruan 42.6°C, duke detyruar kryeministrin François Bayrou të anulojë gjithë axhendën për të ndjekur situatën nga afër. Në jug të Francës, në qytete si Toulouse dhe Marseille, janë mbyllur palestrat në natyrë dhe janë hapur falas pishina e ambiente me ajër të kondicionuar për qytetarët më të rrezikuar.
Efektet ekstreme nga Spanja deri në Ballkan
Nga Spanja e Portugalia deri në Ballkan, miliona njerëz po përballen me temperatura ekstreme, ku në shumë zona kanë kaluar 42°C. Në Mbretërinë e Bashkuar, ku sapo ka nisur turneu i Wimbledon, temperaturat shënuan një rekord për këtë periudhë duke kapur 31°C, e konsideruar dita më e nxehtë ndonjëherë në historinë e këtij eventi sportiv.
Në Zvicër, qytetet si Zyrihu dhe Gjeneva përjetuan temperatura mbi 35°C, duke shënuar qershorin më të nxehtë në historinë e vendit.
Emergjenca e zjarreve në Europë dhe Mesdhe
Vala e të nxehtit ka favorizuar edhe përhapjen e zjarreve. Në Francë, në rajonin e Corbières, u evakuuan një kamp dhe një manastir për shkak të flakëve të përhapura. Në Greqi, pranë Athinës, policia mbylli një segment të rëndësishëm të rrugës bregdetare që lidh kryeqytetin me Sunion, për shkak të zjarreve pranë Tempullit të Poseidonit.
Në Itali, situata është kritike në Sardenjë, ku është aktivizuar alarmi për zjarre në disa zona të brendshme.
Alpet po shkrihen: Zero termike në 4.200 metra
Në Alpe, situata është po aq dramatike. Kufiri i “zeros termike” ka rënë nga 5.000 metra në 4.200 metra, duke përshpejtuar shkrirjen e akullnajave. Meteorologët paralajmërojnë për reshje të rrëmbyeshme në zona të izoluara, me rrezik për përmbytje të menjëhershme.
Kosto e krizës klimatike dhe rreziku për jetën
Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në botë, me dëme ekonomike që kapën shifrën 300 miliardë dollarë. Një studim i Lancet Public Health paralajmëron se vdekjet nga të nxehtit në Europë mund të trefishohen deri në fund të shekullit, veçanërisht në vendet mesdhetare si Italia, Greqia dhe Spanja.
Sipas projeksioneve, nëse temperatura globale rritet me 3°C krahasuar me periudhën paraindustriale, të nxehtit mund të shkaktojë deri në 129.000 vdekje në vit vetëm në Europë. Aktualisht, vdekjet nga të nxehtit në kontinent janë 44.000 në vit.
Edhe zonat e luftës po digjen nga vapa
Kriza klimatike nuk kursen as zonat e luftës. Në Gaza, temperaturat kanë kaluar 40°C, duke përkeqësuar kushtet katastrofike të banorëve: tenda të mbinxehura, mungesë uji dhe energjie, dhe pamundësi për t’u freskuar apo hidratuar.