Shumë pronarë macesh e kanë bërë të njëjtën pyetje: “Mos e bën me qëllim?”. Qoftë kur të shikon pa lëvizur, rrëzon një objekt të dashur apo zgjedh vendin më të papërshtatshëm për të kryer nevojat, është e lehtë të mendosh se macja po hakmerret. Por ekspertët theksojnë se e vërteta është ndryshe: macet nuk bëjnë plane dhe nuk mbajnë mëri – ato thjesht komunikojnë në një mënyrë që shpesh keqinterpretohet nga njerëzit.

Një nga sjelljet më të keqkuptuara është vështrimi i gjatë me sy gjysmë të mbyllur. Ndryshe nga sa mendohet, ky është një sinjal besimi dhe qetësie, që tregon se kafsha ndihet e sigurt.

Edhe kur macja kryen nevojat jashtë kutisë së rërës, rrallëherë lidhet me “zemërim”. Shkaktarët janë shpesh praktikë ose shëndetësorë, si rëra e papastër, përmasat e papërshtatshme të kutisë apo infeksionet urinare. Kur zgjedh vende me aromën e pronarit, ajo zakonisht kërkon ngushëllim dhe siguri.

Gërrhitja (purring) gjithashtu nuk është gjithmonë shenjë lumturie. Macet mund ta përdorin atë për të qetësuar veten edhe kur janë të stresuara, të frikësuara apo me dhimbje, ndaj konteksti dhe gjuha e trupit janë thelbësore për t’u kuptuar.

Një tjetër moment i zakonshëm është kur macja tregon barkun dhe më pas reagon ndaj prekjes. Ky është një gjest besimi, por jo domosdoshmërisht një ftesë për përkëdhelje, pasi zona është shumë e ndjeshme.

Edhe kafshimet apo goditjet me putër nuk janë zakonisht agresion i papritur, por një formë komunikimi pasi sinjalet paralajmëruese janë injoruar. Ndërsa rrëzimi i objekteve shpesh lidhet me kuriozitetin, kërkimin e vëmendjes ose thjesht me mërzinë në një ambient me pak stimulim.

Ekspertët theksojnë se gërvishtja e mobilieve nuk është kokëfortësi, por një nevojë natyrale për të mirëmbajtur thonjtë, për të shënuar territorin dhe për të çliruar tensionin.

Në fund, ajo që shpesh quhet “inat” është thjesht një mesazh i përkthyer gabim. Kur pronarët ndalojnë së trajtuari macen si një “njeri të vogël” dhe fillojnë ta kuptojnë si një kafshë të ndjeshme që kërkon siguri, bashkëjetesa bëhet më e lehtë për të dyja palët.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu