Një 30-vjeçar që jeton në Sydney ka deklaruar se nuk ndihet i sigurt as të dalë nga shtëpia, pasi është identifikuar gabimisht në rrjetet sociale si një nga autorët e sulmit të përgjakshëm në Bondi Beach.

Bëhet fjalë për Naveed Akram, i cili ndan të njëjtin emër me autorin e dyshuar më të ri të sulmit. Një foto nga profili i tij në Facebook është shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, duke e lidhur padrejtësisht me ngjarjen terroriste.

Në një video të publikuar nga Konsullata e Përgjithshme e Pakistanit në Sydney, Akram shprehet i tronditur nga situata:

“Disa llogari në rrjetet sociale kanë marrë fotot e mia nga Facebook dhe po i lidhin me autorin e sulmit. Dua ta them qartë për të gjithë: nuk jam unë, nuk kam asnjë lidhje me atë incident apo me atë person,” deklaron ai.

Ai shton se ndodhet në një gjendje të rëndë psikologjike dhe se ka frikë për sigurinë e tij:

“Jam shumë i stresuar dhe i frikësuar. Nuk ndihem i sigurt as të dal jashtë,” thotë Akram.

Konsullata pakistaneze reagoi duke theksuar se identifikimi i gabuar “ka vënë në rrezik jetën e një shtetasi të pafajshëm pakistanez”.

Agjencia AFP raporton se Akram ka mësuar për keqidentifikimin rreth orës 21:30 të së dielës. Ai tregoi se nuk ka mundur të flejë gjatë natës, pasi situata ka ndikuar rëndë edhe te familja e tij.

“Kjo po shkatërronte imazhin tim dhe të familjes sime. Njerëzit filluan t’i telefononin. Ata u shqetësuan shumë dhe kanë njoftuar policinë,” tha ai.

Rasti ka rihapur debatin mbi rrezikun e dezinformimit dhe gjyqeve publike në rrjetet sociale, veçanërisht në ngjarje të rënda ku përhapja e informacionit të pakonfirmuar mund të ketë pasoja serioze për persona të pafajshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu