
Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka zbuluar për herë të parë arsyet pse pranoi ftesën e kryeministrit Edi Rama për t’u përfshirë në drejtimin e një institucioni shtetëror, duke theksuar se nuk e konsideron veten tradhtar.
Në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Rudina Muça, ish-deputeti demokrat tha se u largua “dhunshëm” nga Partia Demokratike dhe se nuk shihte më hapësirë për të dhënë kontribut politik. Sipas tij, Rama i propozoi sfidën për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve të shtetit.
Sula pranoi se fillimisht e kishte të vështirë të pranonte detyrën, por theksoi se kryeministri i kishte kujtuar se qytetarët shqiptarë nuk janë vetëm socialistë, por edhe demokratë. “Kostumin e politikanit e kam lënë në shtëpi dhe kam veshur kostumin e një nëpunësi të shtetit,” u shpreh ai.
I pyetur për raportin me Ramën, Sula vlerësoi një veçori të kryeministrit, duke thënë se ai nuk i përfshin familjet e kundërshtarëve në debat politik. Ai shtoi gjithashtu se nuk mund të mohohet sfida e Ramës për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Sa i takon reagimeve të opozitës, Sula zgjodhi të mos bëjë komente politike, ndërsa për sfidat në detyrën e re theksoi nevojën për t’u shkëputur nga modeli i deritanishëm i inspektimeve dhe për të ndërtuar një sistem të digjitalizuar deri në fund të vitit.
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj emërimit të Sulës si Kryeinspektor i Përgjithshëm. Në një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale, ai e akuzoi ish-deputetin se “doli nga rreshti” për shkak të mungesës së karakterit dhe u bëri thirrje mbështetësve të vijojnë “kryengritjen paqësore”.



