
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, ka dalë para mediave në prag të sfidës vendimtare ndaj Polonisë në Varshavë, duke e cilësuar këtë duel si një nga më të rëndësishmit në historinë e Shqipërisë. Tekniku kuqezi pranoi presionin e madh, duke zbuluar se prej muajsh është i fokusuar vetëm te kjo ndeshje: “Nuk fle që nga nëntori, mendoj vetëm për 26 marsin”. Ai vlerësoi kundërshtarin, por theksoi se Shqipëria ka armët e saj, veçanërisht lojtarët e rinj si Muçi dhe Mehmeti, që mund të bëjnë diferencën. Sylvinho paralajmëroi se Polonia është e rrezikshme në kundërsulm dhe nuk mbështetet vetëm te Levandovski, ndërsa shtoi se në një ndeshje teke “mund të ndodhë gjithçka”.
Trajneri nënvizoi se kuqezinjtë janë përmirësuar ndjeshëm si skuadër dhe janë gati për një sfidë të madhe, pavarësisht mungesave. Ai vlerësoi mbështetjen e tifozëve shqiptarë dhe theksoi rëndësinë e përqendrimit maksimal për 90 minuta, duke e cilësuar këtë një “ndeshje që mund të vendosë gjithçka”.






