
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit, nuk arritën të nxirrnin Ina Majkon si një ligjvënëse sociale, por kabineti qeveritar duket se ruajti plan rezervë për kandidaten.
Nga mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave, u vendos që Ina Majko të emërohet në pozicionin e zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Majko do të zevendësojë Niko Hykën.
“V E N D I M
PËR EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Ina Majko emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”“, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Majko kandidoi si deputete e listës së hapur për Partinë Socialiste, në qarkun e Vlorës. Veçantia e Majkos? Ajo ishte kandidatja e parë që i përkiste komunitetit rom në Shqipëri. Ajo aplikoi për garën e ligjvënësve përmes platformës së socialisteve “Deputeti që duam”, platformë kjo që nxorri disa emra të rinj në radhët rozë, siç është ajo e Sara Milës.
Majko ishte përgatitur për të qenë një zë në Parlament për komunitetin rom dhe egjiptian, por nuk fitoi vota të mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit. Ajo mori vetëm 338 vota. /tvklan.al