Brooklyn Peltz Beckham ka deklaruar publikisht se nuk dëshiron të “pajtohet” me familjen e tij, në komentet e para të drejtpërdrejta lidhur me raportet e përfolura prej kohësh me prindërit, Sir David Beckham dhe Victoria Beckham.

Në një seri postimesh në Instagram, 26-vjeçari akuzoi prindërit se e kanë “sulmuar” atë dhe bashkëshorten e tij, Nicola Peltz Beckham, përmes mediave, duke pretenduar se kanë tentuar “pa pushim ta shkatërrojnë” marrëdhënien e tyre. Ai tha se për vite me radhë ka zgjedhur heshtjen për ta mbajtur situatën private, por se tani “nuk kishte më zgjidhje tjetër veçse të fliste dhe të tregonte të vërtetën”.

“Kam qenë i heshtur për vite dhe kam bërë çdo përpjekje që këto çështje të mbeten private,” shkroi ai përpara 16 milionë ndjekësve. “Por prindërit e mi dhe ekipi i tyre kanë vazhduar të shkojnë te media. Nuk dua të pajtohem me familjen time. Nuk jam i kontrolluar, po mbroj veten për herë të parë në jetën time.”

Brooklyn e përqendroi një pjesë të madhe të deklaratës te marrëdhënia me bashkëshorten e tij, aktoren amerikane Nicola Peltz, duke thënë se ajo është “trajtuar vazhdimisht me mungesë respekti” nga familja e tij. Ai pretendoi se nëna e tij, Victoria Beckham, kishte hequr dorë në moment të fundit nga realizimi i fustanit të nuses për Nicolën, duke e detyruar atë të gjente urgjentisht një alternativë. Megjithatë, Nicola kishte deklaruar më herët se atelier-i i Victoria Beckham nuk kishte pasur kohë ta përfundonte fustanin, duke mohuar zërat për konflikt.

Brooklyn ngriti gjithashtu akuza për ndërhyrje në dasmën e tyre, duke përfshirë edhe një episod të vallëzimit të parë, që sipas tij u “hijackua” nga nëna e tij. Ai shtoi se në vitin 2025 çifti rinovoi betimet martesore për të krijuar kujtime të reja, larg “ankthit dhe sikletit”.

Një tjetër akuzë serioze lidhej me pretendimin se prindërit e tij kishin ushtruar presion që ai të nënshkruante heqjen dorë nga të drejtat mbi emrin e tij, pak javë para dasmës, çka – sipas tij – ndikoi edhe në aspektin financiar të marrëveshjeve dhe solli ftohjen e marrëdhënieve.

Ai foli edhe për mungesën e tij në festën e 50-vjetorit të Sir David Beckham në maj, duke thënë se kishte udhëtuar në Londër, por ishte refuzuar për ditë të tëra dhe se babai pranoi ta takonte vetëm pa praninë e bashkëshortes së tij. Në atë kohë, burime pranë familjes kishin deklaruar për BBC se Brooklyn kishte zgjedhur vetë të mos merrte pjesë në festë.

Në fund të reagimit, Brooklyn kritikoi atë që e quajti prioritetizim të “markës Beckham” mbi familjen, duke thënë se për vite me radhë ishte ndier i kontrolluar dhe i mbushur me ankth. “Që kur jam larguar nga familja, për herë të parë në jetën time, ai ankth është zhdukur,” shkroi ai.

Sir David dhe Victoria Beckham nuk kanë reaguar publikisht ndaj deklaratës së djalit të tyre. Përfaqësuesit e tyre janë kontaktuar nga BBC për koment, ndërsa përçarja në një nga familjet më të njohura të botës së showbiz-it dhe sportit vijon të jetë në qendër të vëmendjes mediatike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu