
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është rikthyer 20 vite pas në kohë për të rrëfyer momentet e para të ngjitjes së Edi Ramës në krye të PS-së. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ai kujton tensionet, debatet dhe përplasjet që shoqëruan zgjedhjen e Ramës si kryetar të partisë në tetor të vitit 2005, duke e cilësuar atë një moment vendimtar për të ardhmen e së majtës shqiptare.
Sipas Braçes, tërheqja me revoltë e figurave të rëndësishme si Servet Pëllumbi dhe Gramoz Ruçi nga votimi kundër ndryshimit, shkundi sallën e Kongresit të PS-së dhe i hapi rrugën fitores së Ramës. “Ajo sallë në mëngjesin e 9 tetorit ishte e kthjellët dhe gati për të ndryshuar PS-në,” shkruan Braçe, duke theksuar se ky ishte momenti kur socialistët zgjodhën “të ndryshojnë për të fituar”.
Ai rrëfen se, pas dështimit të PS-së në zgjedhjet e 2005-s dhe rikthimit të Sali Berishës në pushtet, Rama kishte qenë i qartë në platformën e tij politike: “Ndryshojmë për të fituar.” Braçe kujton se kjo ide u përhap me entuziazëm në radhët e socialistëve, duke u bërë shpresë për ringritjen e partisë pas humbjes.
View this post on Instagram
“50 mijë kopje të gazetës ‘Zëri i Popullit’ në 26 gusht dhe 30 mijë të tjera më 27 gusht dëshmuan se socialistët donin ndryshim të fortë e të thellë,” tregon Braçe, duke shtuar se Rama u përball me një “rreth” të brendshëm që frenonte ndryshimin, por arriti ta thyente me votë.
Në vijim, deputeti socialist kujton atmosferën në Tiranë në atë natë historike:
“Nuk do ta harroj Tiranën atë natë; na kish ndëshkuar me votë tre muaj më parë, ndërsa vota e fundit e socialistëve në Kongres solli nderim e emocion para sallës së Operas.”
Sipas Braçes, zgjedhja e Ramës solli një epokë të re për Partinë Socialiste dhe për Shqipërinë. “Sot, 20 vite më pas, Edi Rama është kryetari më fitues në historinë e PS-së dhe të vendit,” shkruan ai, duke shtuar se këto fitore kanë shtyrë Shqipërinë drejt zhvillimit dhe integrimit europian.
Por, paralajmërimi i Braçes nuk mungon:
“Fitorja është avantazh i madh, por rreziku më i madh është harresa e gabimeve. Duhet të reflektojmë, sepse ose ndryshojmë ne e fiton PS, ose fitojmë ne e nuk është më PS,” përfundon ai.