Sytë e botës do të kthehen nesër nga katedralja e Notre Dame e cila do të rihapet pas restaurimit që zgjati 5 vite e që u mundësua me donacione nga 150 vende.

yacht hotel sarande

Me këtë rast presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Trump do të kryejë vizitën e tij të parë në Evropë që nga zgjedhjet presidenciale. Do të jenë rreth 40 krerë shtetesh e qeverish pjesëmarrës në ceremoni ndonëse sipas një lajmërimi të fundit do të mungojë aty Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Festimet për hapjen e katedrales ikonike, do të zgjasin dy ditë.

Ceremonia e rihapjes më 7 dhe 8 dhjetor do të jetë kryesisht vetëm me ftesë, por do të transmetohet në televizion dhe njerëzit do të mund të mblidhen përpara katedrales.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mes një klime të tensionuar politike mban kështu premtimin e dhënë më 2019 kur tha se brenda 5 viteve të bëhej restaurimi i xhevahirit francez, një premtim që asokohe u duk i përshpejtuar e i paarritshëm, kjo për shkak të dëmeve të mëdha .

Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt gjatë vizitës së Macron në Notre Dame shfaqën paraprakisht brendësinë e katedrales ikonë siç mund ta kishin përjetuar adhuruesit në Mesjetë – hapësirat e saj të gjera dhe të hapura të mbushura me dritë që ndriçon ngjyrat e gjalla të dritareve me ngjyra raportoi “AP”.

Pas pesë vitesh rindërtim, institucioni publik për rindërtimin e Notre Dame në Paris vlerëson se në restaurimin e katedrales kanë punuar pothuajse 2.000 njerëz dhe se në projekt kanë marrë pjesë gati 250 kompani.

Rindërtimi kushtoi gjithsej 846 milionë euro, një pjesë e rëndësishme e të cilave janë donacionet.

Presidenti francez më 7 dhjetor, do të mbajë një fjalim në Notre Dame dhe të nesërmen gjatë meshës solemne do të marrë pjesë në shenjtërimin e altarit të ri.

Administrata e Macron përshëndeti rindërtimin e Notre Dame si një simbol të unitetit kombëtar dhe fuqisë franceze.

Zjarri në Katedralen Notre Dame shpërtheu më 15 prill 2019 rreth orës 18:50 nën çatinë e ndërtesës dhe u shua 15 orë më vonë. Nga zjarri u shkrumbua çatia dhe kulla, si dhe u dëmtua rëndë pjesa e brendshme e katedrales, muret e sipërme dhe dritaret.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu