
Wizz Air lë sërish pasagjerët në mëshirë të fatit pa asnjë shpjegim!
Një tjetër episod shqetësues me kompaninë ajrore Wizz Air ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Aeroportin e Rinasit, ku fluturimi Tiranë–Memmingen u detyrua të kthehej me urgjencë për shkak të goditjes nga një zog. Avioni, i nisur në orën 07:20, u ul sërish në Rinas rreth orës 07:40, pasi xhami i kabinës së pilotit u godit nga një zog.
Edhe pse incidenti mund të konsiderohet si fatkeqësi natyrore, sjellja e kompanisë pas ngjarjes ka ngritur shumë pakënaqësi. Pasagjerët janë lënë pa informacion, pa ndihmë konkrete dhe në pritje të pafundme për një avion zëvendësues. Kjo nuk është hera e parë që Wizz Air trajton pasagjerët e vet me neglizhencë dhe mungesë transparence në situata emergjente apo anulime.
“Avioni i linjës Tiranë – Memmingen nga kompania Wizz Air u godit nga një zog dhe u detyrua të aterojë përsëri në Tiranë. Pasagjerët po presin të organizohet një avion tjetër. Para gjysmë ore, avioni u nis sot në orën 07:20 nga Tirana. Në orën 07:40, na informoi kapiteni se duhet të kthehemi në Tiranë për arsye se një zog kishte goditur xhamin e kabinës së pilotit”, shkruan qytetari për JOQ.
Në muajt e fundit, dhjetëra qytetarë kanë denoncuar raste të ngjashme dhe papërgjegjshmëri nga Wizz Air fluturime të vonuara pa paralajmërim, ndërrime të papritura të orareve, mungesë komunikimi dhe refuzim për të ofruar akomodim ose kompensim. Në rastin e sotëm, shumë pasagjerë kanë mbetur në terminal për orë të tëra, pa asnjë shpjegim zyrtar nga ana e Wizz Air.