Me rastin e 7 Marsit, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë mësuesit, veçanërisht ata të gjuhës shqipe në diasporë. Në urimin e tij, ai thekson rëndësinë e punës së tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar ndër brezat e rinj shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

“Në këtë 7 Mars, më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për përkushtimin dhe pasionin tuaj të jashtëzakonshëm. Ju jeni jo vetëm edukatorë, por edhe ambasadorë të gjuhës, kulturës dhe vlerave tona kombëtare në çdo cep të botës ku jetojnë shqiptarët. Puna juaj është e paçmuar, sepse falë jush, brezat e rinj të fëmijëve të diasporës rriten me gjuhën shqipe, me historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Qeveria shqiptare është dhe do të mbetet krah jush.”

Ministri Balla nënvizon se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në mbështetjen e mësuesve të diasporës përmes nismës “Mësues për Diasporën”, e cila synon fuqizimin e rolit të tyre në ruajtjen e identitetit shqiptar për brezat e ardhshëm. Ai siguron se angazhimi për mësuesit dhe komunitetet shqiptare jashtë vendit do të vijojë me përkushtim të pandërprerë.

“Si Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe si drejtues politik për diasporën, ju siguroj që angazhimi ynë për mësuesit dhe komunitetet tona jashtë vendit do të vijojë me të njëjtin përkushtim.”

Në përfundim, Ministri Balla uron: “Gëzuar 7 Marsin! Faleminderit për gjithçka që bëni për fëmijët tanë dhe për Shqipërinë kudo në botë!”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu