Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka komentuar zhvillimet më të fundit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke i cilësuar si arritje historike për vendin dhe duke bërë thirrje për mbështetje ndaj PS-së në zgjedhjet e 11 majit.

“I dëgjuat si thanë para pak ditësh, apo jo? Se me Shqipërinë nuk ka më hapje kapitujsh. Ja pra, të hënën mbahet konferenca e katërt e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke çuar në hapjen e një serie tjetër kapitujsh të rëndësishëm,” tha Balla.

Ai theksoi se procesi i negociatave me BE-në për Shqipërinë po ecën me ritme më të shpejta sesa në vendet e tjera të rajonit.

“Këto janë negociatat më intensive krahasuar me vendet e tjera dhe kur mendon që, për shembull, Mali i Zi vazhdon të negociojë që nga viti 2012, ndërsa Shqipëria jonë i hapi negociatat vitin e kaluar dhe madje kalendari ynë është vetëm 3 vjet, pra i mbyllim negociatat me Bashkimin Europian në vitin 2027,” deklaroi ai.

Balla theksoi se qeverisja e Partisë Socialiste i ka dhënë vendit dinjitet ndërkombëtar.

“Ne i dhamë Shqipërisë dinjitetin që nuk ka pasur kurrë në marrëdhëniet ndërkombëtare, prandaj duhet të vazhdojmë rrugën e nisur,” u shpreh ai.

Në përmbyllje, drejtuesi politik i PS-së për Diasporën ftoi qytetarët të mbështesin forcën politike që, sipas tij, ka sjellë progres për vendin: “Duke votuar Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, numrin 5 në fletën e votimit. Ju përshëndes.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu