Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, vendosën sot në Bruksel një tjetër gur themeli në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke shënuar çeljen e një grupkapitulli të ri në negociata.

Në një ceremoni simbolike pranë “murit të zgjerimit” të BE-së, Rama dhe Kos vendosën së bashku ngjyrën e verdhë mbi kapitujt që sapo janë hapur, duke hequr të kuqtë që simbolizojnë proceset ende të paçelura.

Komisionerja Kos vlerësoi ecurinë e Shqipërisë, duke theksuar ritmin e shpejtë të përparimit:

> “Kur erdha në dhjetor, thuajse gjithçka ishte me të kuqe. Sot kemi hapur edhe një grupkapitull tjetër. Plani ynë është që brenda këtij viti të çelim të gjitha, dhe deri në vitin 2027 t’i kemi të gjitha me ngjyrë të gjelbër, që do të thotë të mbyllura provizorisht. Synimi ynë është që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur,” – u shpreh Kos.

 

Duke falënderuar ekipin e BE-së dhe atë shqiptar, Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e këtij momenti për vendin:

> “Nderi është i gjithi i yni. Dua të falënderoj ekipin tuaj në Shqipëri që na ndihmon çdo ditë të qëndrojmë të fokusuar dhe të mos shpërqendrohemi. Ky është një hap i madh përpara për Shqipërinë dhe për rrugëtimin tonë europian,” – deklaroi Rama.

 

Sipas Komisioneres Kos, nëse ritmi aktual mbahet, deri në fund të vitit pritet të çelen të gjithë grupkapitujt, duke afruar ndjeshëm Shqipërinë me synimin final të anëtarësimit në BE.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu