
“Ëndrra Amerikane” po shuhet: Besimi tek përpjekja dhe suksesi në rënie historike
Besimi tek ideali i famshëm se “me punë të ndershme dhe përpjekje mund të arrish gjithçka” po venitet në mbarë botën. Një sondazh global zbulon se shumica e njerëzve nuk besojnë më se puna e palodhur shpërblehet realisht.
Në vende si SHBA, Gjermani dhe Francë, besimi tek mobiliteti social — ideja që mund të ngjitesh në shkallët e suksesit përmes përpjekjeve personale — ka rënë në nivelet më të ulëta historike.
Kjo mosbesim është më i theksuar tek brezat e rinj. Gen Z dhe Millennials shprehen hapur se ndihen të zhgënjyer dhe skeptikë. Sipas tyre, sistemi ekonomik dhe social është i manipuluar në mënyrë të tillë që, pavarësisht sa shumë punon, mundësitë e suksesit të vërtetë janë të kufizuara vetëm për disa.
Shumë prej tyre e përshkruajnë realitetin si një “lojë të manipuluar”, ku përpjekja nuk garanton më suksesin, duke sjellë kështu një distancim të thellë nga ideali i dikurshëm i “Ëndrrës Amerikane”.
Në sfondin e krizave ekonomike, pabarazive në rritje dhe kostos së lartë të jetesës, për shumë të rinj në botë, nocioni i suksesit përmes punës duket tashmë si një mit i largët dhe i paarritshëm.