
Teuta dhe Tirana janë ndarë në barazim 1-1 në stadiumin “Niko Dovana”, në një sfidë të shoqëruar me polemika dhe tensione, rezultat që nuk i shërben asnjërës skuadër në objektivat e saj.
Durrsakët humbën terren në garën për një vend në “Final 4”, ndërsa bardheblutë morën vetëm një pikë, duke mbetur në fundin e renditjes me 8 pikë.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe ishte Tirana që befasoi që në minutën e 4-t. Ndong udhëhoqi një kundërsulm të shpejtë, shkëmbeu topin me Falajen dhe pasi hyri në zonë, finalizoi saktë për 0-1, duke shtangur vendasit. Teuta reagoi gradualisht, duke marrë kontrollin e lojës, por pa krijuar raste të pastra shënimi.
Në minutën e 24-t, Tirana shënoi sërish me Falajen pas një kundërsulmi tjetër, por goli u anulua për pozicion jashtë loje, vendim i konfirmuar edhe nga VAR-i. Katër minuta më pas, një kontakt mes Jurgens-it dhe Lleshit në zonë solli penallti për Teutën. Gjyqtari Barjamaj akordoi 11-metërshin, ndërsa në minutën e 31-të Beshiraj u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke barazuar shifrat në 1-1.
Teuta pati edhe një mundësi të artë në minutën e 33-të, kur Beshiraj harkoi nga e djathta për Arifin, por Tafas ndërhyri në momentin vendimtar dhe shpëtoi portën e Tiranës.
Pjesa e dytë u shoqërua me tensione jashtë fushës. Tirana refuzoi për disa minuta të dilte në lojë, në shenjë proteste ndaj vendimeve të arbitrit, ndërsa lojtarët e Teutës qëndruan pranë pankinës në pritje të rifillimit të ndeshjes. Pas rifillimit, ritmi ra dhe rastet ishin të pakta.
Në minutën e 68-t, Marku provoi një gjuajtje që u shndërrua në asist për Falajen, por sulmuesi nuk arriti të mposhtte Selmanin, i ndalur nga ndërhyrja vendimtare e portierit. Në minutat shtesë, Tirana pati fat, pasi fillimisht shtylla dhe më pas Tafas i mohuan golin Teutës në dy raste të njëpasnjëshme.
Në fund, rezultati mbeti i pandryshuar, duke lënë të dyja skuadrat të pakënaqura me një barazim që vlen pak në garën për objektivat sezonale.






