
Një lopë shtëpiake në Austri ka hyrë në historinë e shkencës, pasi është bërë rasti i parë i dokumentuar shkencërisht ku një lopë përdor mjete. Veronika, një lopë 13-vjeçare që jeton si kafshë shtëpiake dhe jo për prodhim, është vëzhguar duke përdorur një fshesë druri për të kruar pjesë të ndryshme të trupit të saj.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Current Biology, Veronika jo vetëm që përdor fshesën për t’u kruar, por tregon edhe fleksibilitet njohës, duke përdorur pjesë të ndryshme të saj – herë pjesën me fije, herë bishtin prej druri – në varësi të vendit që i kruhet.
Studiuesit theksojnë se ky është rasti i parë i dokumentuar i përdorimit të mjeteve te gjedhët, një sjellje që deri më tani është vërejtur kryesisht te primatët, zogjtë dhe disa gjitarë të tjerë të avancuar nga ana njohëse.
“Zakonisht lopët përdoren si simbol i budallallëkut, por ky rast duhet të na bëjë të reflektojmë dhe t’i shohim kafshët e fermës me një sy tjetër,” u shpreh Alice Auersperg, biologe njohëse në Universitetin e Mjekësisë Veterinare të Vjenës dhe bashkautore e studimit.
Sipas studiuesve, arsyeja pse aftësitë njohëse të lopëve janë nënvlerësuar mund të lidhet me faktin se shumica e tyre nuk kanë mundësi të zhvillojnë apo shfaqin sjellje të tilla për shkak të kushteve të jetesës.
Rasti i Veronikës hap një kapitull të ri në studimin e inteligjencës së kafshëve dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si njerëzit i perceptojnë dhe i trajtojnë kafshët e fermës./NYT






