Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua përurimi i librit: “The earthquake of 26 november 2019 and what can we learn” (“Tërmeti i 26 nëntorit dhe refleksionet e nxjerra prej tij”) me autorë akad. asoc. Rrapo Ormënin dhe Serkan Öztürk.
Veprimtaria u drejtua nga akad. Ilirjan Malollari. Ai e vlerësoi librin për analizën e thelluar dhe gjithëpërfshirëse të një ngjarjeje tërmetore, ku trajtohen në mënyrë shkencore aspekte të rëndësishme, si përhapja e valëve sizmike, ndërgjegjësimi për rreziqet, për procedurat e evakuimit, si dhe për masat që duhet të marrë qeveria për dëmet, për evakuimin dhe ndërtimet pa kriter.
Akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi punën e autorëve Rrapo Ormëni dhe Serkan Öztürk për produktin shkencor dhe mesazhet që ka libri për të gjitha kategoritë e komunitetit, veçanërisht për vendimmarrësit kryesorë të ekzekutivit dhe këshilltarët e tyre, për të përgatitur strategji më të mira për të ardhmen.
Veprimtarinë e përshëndeti edhe z. Metin Bulut këshilltar i arsimit në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Shqipëri, i cili vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e shkencës dhe arsimit.
Për veprën folën ekspertë të njohur të sizmikës prof. dr. Vilson Silo, prof. dr. Ismail Hoxha, prof. dr. Naser Peçi (Kosovë), të cilët e vlerësuan librin si një burim me vlera për studimet sizmike dhe për menaxhimin e fatkeqësive natyrore në vendin tonë.
Akad. asoc. Rrapo Ormëni bëri një prezantim të shkurtër të librit dhe foli për bashkëpunimin e ngushtë me sizmologun nga Turqia, prof. Serkan Ozturk bashkautor i librit.
Mes të tjerave ai falënderoi akad. Skënder Gjinushin dhe Kryesinë e ASHSH, që e mbështeti për idenë e organizimit më 26 nëntor 2020 të konferencës së madhe ndërkombëtare mjaft të suksesshme “Gjeoshkencat dhe inxhinieria e tërmeteve, sfidat në rajonin e Ballkanit”.
Në fund të fjalës së tij, akad. asoc. Rrapo Ormëni tha se refleksionet e nxjerra nga tërmeti i 26 nëntorit për përgatitjen dhe mbrojtjen nga tërmetet mund të shërbejnë si udhëzues i vlefshëm për individët dhe komunitetet që dëshirojnë te vetëmbrohen dhe të minimizojnë dëmet nga tërmetet e ardhshme. A.K./TemA

yacht hotel sarande

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu