
Drejtuesi Politik i Diasporës në Partinë Socialiste, Taulant Balla, prezanton një tjetër shembull suksesi të shqiptarëve në Itali.
Ai vizitoi fabrikën e Ylber Kolonjarit, një emigrant nga Lushnja, i cili mbërriti në Itali në vitin e largët 1996. Pas shumë vitesh përpjekje për integrim, Ylberi, nga punëtor u bë sipërmarrës, duke hapur “Parmaindustrie” në vitin 2003, një fabrikë që merret me përpunimin e metaleve.
Balla: “Po si e fillove biznesin? Apo ishe vetë, në fillim hyre…?”
Kolonjari: “Në fillim si punëtor. Pas tre muajsh vinin kolegë që kishin 10 vite që punonin dhe kërkonin informacione nga unë se si e bëra punën. Edhe aty pastaj thashë: prit ta marrin vesh si bëhet!”
Prej dekadash, mijëra shqiptarë kanë ndërtuar jetën e tyre në Itali, duke u bërë pjesë aktive e shoqërisë dhe ekonomisë së vendit. Por ndër ta, një numër gjithnjë në rritje kanë dalë në pah si sipërmarrës të suksesshëm, që jo vetëm kanë krijuar mirëqenie për familjet e tyre, por kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe për komunitetin italian.
Në fabrikën e Ylber Kolonjarit, shumica e krahut të punës vjen natyrisht nga komuniteti shqiptar, pasi biznese si ky janë ndihma më e madhe që emigrantët marrin në dhe të huaj.
Balla: “Po italianë sa punëtorë ke?”
Kolonjari: “Dy!”
Balla: “Shumë mirë, italianë që punojnë për shqiptarët!”
Nga vizita në këtë fabrikë, Balla do të ketë kujtim një punim inoksi me pesën, numrin simbol të PS-së në këtë fushatë, siç renditet në fletën e votimit.
Kolonjari: “Atëherë unë do të tregoj një gjë të lezetshme dhe dua të ma aprovosh ti.”
(krijohet dora nga makineria)
Balla: “Pesa po ndërtohet. Po kjo është 3D?”
Kolonjari: “Po, 3D.”
Ky rrëfim nuk është thjesht një histori suksesi ekonomik – është një histori identiteti, mundësish dhe besimi në punën e ndershme. Ajo që i bashkon të gjithë sipërmarrësit shqiptarë është ndjenja e krenarisë për origjinën, por edhe dëshira për t’u integruar dhe për të dhënë më të mirën në vendin që u ka dhënë mundësinë të ecin përpara.