
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke akuzuar Policinë e Shtetit për ndalimin e një fëmije 10-vjeçar gjatë protestës së opozitës, një veprim që sipas tij përbën shkelje të rëndë të çdo norme ligjore dhe njerëzore.
Në një postim në Facebook, Bozdo shprehet se rasti është edhe më shqetësues për shkak të akuzave për ushtrim dhune ndaj të miturit, çka, sipas tij, e bën situatën jashtëzakonisht të rëndë dhe alarmante.
“Ndalimi i një fëmije 10-vjeçar përbën një shkelje të rëndë të çdo norme njerëzore dhe juridike. Në çdo shoqëri që pretendon drejtësi dhe shtet ligjor, një veprim i tillë është i papranueshëm”, shkruan Bozdo në reagimin e tij.
Ai thekson se arrestimi i një fëmije vetëm pse ndodhej në protestë nuk ka asnjë bazë ligjore, duke e cilësuar atë si tejkalim të çdo kufiri etik dhe moral.
“Kjo nuk është rend publik. Është dështim dhe degradim i institucioneve”, përfundon deputeti i PD-së.
Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e ngritura nga deputeti Bozdo.



