
Çarshia e Vjetër e Shkupit sot u mbush me shqiptarë që i dhanë Kryeministrit Edi Rama një pritje të jashtëzakonshme, që më shumë ngjante me një vizitë në një qytet shqiptar sesa në një shtet tjetër.
Kudo ku ecte, flamuj kuqezi, duartrokitje dhe thirrje të dashurisë kombëtare. Në këtë zemër historike shqiptare të Shkupit, Rama u ndje si në shtëpinë e tij, i rrethuar nga bashkëkombës që jetojnë, punojnë dhe ruajnë krenarisht identitetin e tyre.
Në krah të tij ishin ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ambasadori shqiptar Denion Mejdani dhe ministri Blendi Gonxhja. Pamjet që Kryeministri ndau në rrjetet sociale flasin vetë: një det njerëzish, fytyra të qeshura dhe një atmosferë që tregonte qartë se Shkupi mbetet zemër shqiptare!
View this post on Instagram
Vizita e Ramës zhvillohet në kuadër të Takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, ku diskutohet mbi të ardhmen ekonomike të rajonit dhe integrimin europian, por përtej sallave të takimeve, mesazhi i ditës ishte i qartë: Shqiptarët janë një, pa dallim kufijsh!
Por kujtojmë se Shkupi, që historikisht ka qenë një qytet me shumicë shqiptare për shekuj, u nda zyrtarisht nga Shqipëria etnike pas përfundimit të Luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912-1913, kur Fuqitë e Mëdha dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) vendosën ndarjen e trojeve shqiptare.
Në tetor 1912, ushtria serbe pushtoi Shkupin gjatë Luftës së Parë Ballkanike, duke e shkëputur nga Perandoria Osmane.
Me Konferencën e Londrës më 1913, u caktuan kufijtë e shtetit shqiptar, ndërsa Shkupi, bashkë me Kosovën, Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe viset tjera shqiptare në Maqedoni, iu aneksuan Serbisë.
Pas krijimit të Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore, Shkupi u bë pjesë e kësaj federate deri në shpërbërjen e saj më 1991, kur u bë kryeqyteti i shtetit të ri, Maqedonisë.
Pra, Shkupi historikisht ka qenë një qytet i banuar nga shumicë shqiptare dhe ndarja e tij nga Shqipëria është rezultat i marrëveshjeve dhe pazareve të Fuqive të Mëdha në fillim të shekullit XX, pas shembjes së Perandorisë Osmane në Ballkan.