Nga Lira Klaiqi
Qetësi. Mëngjes vjeshte, me diell. E shtuna ishte një ditë e zakonshme në veriun e Kosovës, rajon i trazuar që nga paslufta e që shpesh është temë e ballinave të të mediave vendore e ndërkombëtare.
Rrugët pothuajse të boshatisura, ndërtesat e vjetra, flamuj serb, ca afishe të vjetruara e të shlyera me fotografitë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq edhe veturat modele më të vjetra të jepnin ndjesinë e para vitit 1999, para luftës së Kosovës.
Por, flamuri i Kosovës i vendosur në ndërtesën e Komunës së Zubin Potokut e në stacionet policore të sillnin në realitet dhe të tregonin se je pikërisht në Republikën e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Pak qytetarë serbë që po pinin kafen e mëngjesit, apo po kryenin blerjet na shikonin me kërshëri, por askush nuk fliste.
Ndaluam vetëm për pak në qytetin e Zubin Potokut, për të blerë ca gjëra, pagesa e të cilave u bë në valutën euro.
Kishim vendosur që të shkonin deri në kufirin Kosovë-Serbi, për të parë rrugët ilegale të kontrabandës që ishin mbyllur, më saktësisht në fshatin Banjë.
Ishin të pakta veturat që qarkullonin në rrugë. Për të shkuar në fshatin Banjë, duhej të kalohej nëpër Ujman.
Natyra e bukur e veriut të Kosovës, uji i kaltër i Ujmanit, niveli i të cilit kishte rënë shumë, të shoqëronte vazhdimisht, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Por, rrugës nuk kishte as barrikada e serbë të mllefosur e as policë. Gjithcka i ishte kthyer qetësisë në atë pjesë. Veriu po frymonte qetë, pa kontrollin e askujt.
Teksa makina përshkonte urat mbi liqenin e Ujmanit, papritmas të shfaqet një vilë e bukur, e ndërtuar buzë liqenit nga organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, i cili për vite kishte terrorizuar e kontrolluar cdo gjë ilegale në atë pjesë.
Tashmë vila është konfiskuar nga shteti i Kosovës. Një makinë e blinduar e Policisë së Kosovës dukej në oborrin e saj.
Pasi kaluam Ujmanin, arritëm në Banjë.
Në fshatin në kufirin që ndan Serbinë e Kosovën takuam edhe një grua e moshuar e cila kishte mbetur pa ujë.
Aty takuam edhe anëtarët e ekipit të Shoqatës së Kosovës për Kërkim Shpëtim, të cilët po punonin në vendosjen e gypave që do ta furnizonin me ujë zonjën, pasi që ata ishin dëmtuar gjatë mbylljes së një rruge e cila shërbente për kontrabandimin e mallrave ilegale nga Serbia në shtetin tonë.
Kjo rrugë që dikur shërbente si udha e kontrabandës, ndodhet vetëm 100 metra larg kufirit me Serbinë.
Ajo ishte bllokuar. Në të kalonte vetëm e moshuara e vetmuar sebe dhe vullnetarët shqiptarë, që përkundër armiqësisë shekullore, po tregonin humanitet dhe po e ndihmonin që të furnizohej me ujë të pijes.
Edhe rruga e kthimit ishte e qetë. Asgjë nuk pipëtinte. Qetësinë e prishi pak një rigë shiu i rrëmbyeshëm./Reporteri.net/