Një zbulim që ndriçon marrëdhëniet mes dy superfuqive të lashta: Teotihuacan dhe Majat

Një altar 1700-vjeçar, i zbuluar në qytetin antik të Tikal, Guatemalë, ka ndezur debatet në rrethet arkeologjike mbi ndikimin kulturor dhe politik të qytetërimit të Teotihuacan-it në zemër të territorit Maya.

Zbulimi i raportuar në revistën shkencore Antiquity, përfshin një strukturë të pasur me dekorime, që mban ende gjurmë të ngjyrave të ndezura si e kuqja, e zeza dhe e verdha, por që ngre pyetje të reja rreth ndikimit të jashtëm në këtë qytet emblemë të Majave.

“Ky zbulim tregon se udhëheqës të fuqishëm nga Teotihuacan kanë ardhur në Tikal dhe kanë ndërtuar kopje të objekteve rituale të qytetit të tyre,” – tha Stephen Houston, profesor në Universitetin Brown dhe bashkëautor i studimit.

Art që flet me gjuhë të huaj

Edhe pse altari u gjet në Tikal, studimi tregon se ai është krijuar nga artistë të trajnuar në Teotihuacan, rreth 1000 km më larg në territorin e Meksikës së sotme.

Dizajnet përfshijnë paraqitje të një hyjnie të njohur si “Zoti i stuhisë”, tipike për kulturën Teotihuacane dhe jo për stilin tradicional Maya. Poshtë altarit u gjetën dy trupa të varrosur – një i rritur dhe një fëmijë i moshës 2–4 vjeç – të vendosur në mënyra karakteristike për Teotihuacan-in. Tre foshnja të tjera u gjetën rreth strukturës, të flijuara sipas riteve të ngjashme me ato të qytetërimeve të Meksikës qendrore.

Historia e një pushtimi të heshtur?

“Ky nuk ishte vetëm shkëmbim kulturor apo tregti. Ishte një akt me forcë, një ndërtim i një enklave pranë pallatit mbretëror të Tikalit,” – thekson Houston.

Gërmimet nisën më 2019, pasi radarët zbuluan struktura nën një kodër që fillimisht mendohej se ishte formacion natyror. Ekipi zbuloi ndërtesa, altarë dhe varre të ndërlidhura me ritet dhe pushtetin e Teotihuacan-it.

“Majat zakonisht rindërtonin mbi ndërtesat e mëparshme, por ky altar u varros dhe u la pas. Mbase u pa si memorial, apo si një kujtesë e pakëndshme,” – shprehet Andrew Scherer, bashkautor i studimit.

Një “grusht shteti” 1700-vjeçar?

Sipas arkeologëve, ky altar daton rreth vitit 378 pas Krishtit, një periudhë kur Teotihuacan besohet të ketë përmbysur mbretin vendas dhe të ketë vendosur një sundimtar kukull.

“Ata hoqën mbretin dhe sollën një udhëheqës që do t’u shërbente interesave të tyre,” – thotë Houston. “Një histori klasike e një perandorie që përpiqet të kontrollojë një tjetër.”

Ky ndikim e shtyu Tikalin drejt fushatës së saj më ambicioze ushtarake, që do të çonte qytetin në kulmin e fuqisë së tij përpara rënies në shekullin e 10-të.

Historia përsëritet

Ky zbulim nuk është i izoluar. Në vitet 1960, studiuesit gjetën një stelë me mbishkrime, që përshkruante përplasje ushtarake mes dy qytetërimeve. Altari i zbuluar tani shton më shumë prova për një marrëdhënie komplekse, ndoshta edhe agresive, midis dy superfuqive antike.

“Teotihuacan-i e shihte botën Maya si një burim pasurie – me pupla ekzotike, lodh dhe çokollatë. Dhe ata vepruan për ta kontrolluar atë,” – përmbyll Houston./CNN

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu