Një 20-vjeçar nga Kosova ka ndërruar jetë gjatë pushimeve, në Shqipëri. Anid Hoxha nga Rahoveci ka humbur jetën teksa ka qenë duke luajtur volejboll me shoqërinë e tij në bregdetin e Dhërmiut.

“Specialistët e Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 14.07.2025, pranë një plazhi në Dhërmi, në fushën e volejbollit, dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale shtetasi A. H., 20 vjeç, banues në Kosovë, i cili ndodhej me pushime së bashku me shoqërinë e tij”, njofton policia.

Autopsia mjekoligjore për rastin do të kryhet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes së 20-vjeçarit.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Hoxhës e ka bërë të ditur edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të 20-vjeçarit nga Rahoveci, Anid Samir Hoxha. Anidi po qëndronte për pushime në bregdetin shqiptar, së bashku me shokët e tij. Kjo humbje e papritur na preku thellë të gjithëve, familjen, shokët dhe secilin që e njohu Anidin, si djalë të mirë e të dashur. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hoxha, miqtë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Qoftë i lehtë dheu për Anidin!”, tha Latifi. (A2 Televizion)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu