
Pas mbylljes së procesit të votimit në orën 18:00 dhe dorëzimit të kutive të votimit në KZAZ-të përkatëse, ka filluar edhe procesi i numërimit të votave për 5 bashkitë vendit: Vlorë, Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Mat.
Numërimi i votave ka nisur fillimisht në KZAZ-të e Tepelenës ku po numërohen votat e fshatrave Nivicë, Progonat dhe Sinanaj.
Në të gjitha qendrat e këtyre pesë bashkive kishin të drejtë vote në total 334 mijë qytetarë, ku pjesëmarrja e tyre rezultoi me 18.51%.
Pjesëmarrjen më të lartë e shënoi Bashkia Mat me 39.23%, ndërsa më e ulët ishte në Bashkinë Vlorë me 12.59%. Pjesëmarrja në bashkitë e tjera ishte: Tepelenë 34.63%, Cërrik 24.81% dhe Berat 19.81%.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ, pjesëmarrja më e lartë ishte tek grupmosha mbi 65-vjeç, ndërsa më e ulët tek të rinjtë 18-22 vjeç.
Procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore u zhvillua kryesisht në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se procesi ishte pa probleme, me vetëm dy raportime për incidente në Cërrik dhe Vlorë.
Në këto zgjedhje të pjesshme, në Vlorë garojnë për të marrë drejtimin e Bashkisë, kandidatja socialiste Brunilda Mersini përballë Dionis Sotës, kandidatit i pavarur i mbështetur nga opozita, si dhe anëtari i këshillit bashkiak nën siglën e demokratëve Gjergj Nika.
Për bashkinë e Beratit, në garë janë kandidati socialist Ervin Caka dhe kandidati i pavarur, Pavlo Shkarpa, i mbështetur nga opozita.
Për bashkinë e Matit në garë janë kandidati socialist Altin Bojni dhe kandidati i pavarur Eduard Brahilika, i mbështetur nga opozita.
Në Cërrik, kandidati socialist Florenc Doka përballet me dy kandidatët e pavarur, Amarildo Hoxha i mbështetur nga Partia Demokratike dhe aleatët, dhe Eligert Hima i propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Për bashkinë e Tepelenës garojnë kandidati socialist Gramoz Sako, ndërsa opozita ka mbështetur kandidatin e pavarur Gabriel Guma.
Kryebashkiakët që do të dalin fitues nga këto zgjedhje do të kenë një mandat njëvjeçar e gjysmë, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të radhës lokale në pranverën e vitit 2027./rtsh







