
Ushtria izraelite njoftoi sot se ka nisur zyrtarisht paralajmërimet për spitalet dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në veri të Rripit të Gazës, duke i kërkuar që të përgatiten për evakuimin e zonës drejt jugut, përpara një operacioni të planifikuar për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës dhe zonave përreth.
“Në kuadër të përgatitjeve (…) për sigurinë e popullsisë, oficerët (…) lëshuan urdhra paralajmërues dy ditë më parë (të martën) për institucionet mjekësore dhe organizatat ndërkombëtare në veri të Gazës, me qëllim përgatitjen për evakuimin e organizuar të popullsisë drejt jugut,” thuhet në deklaratën zyrtare të ushtrisë.
Sipas të njëjtës deklaratë, autoritetet ushtarake po bëjnë përgatitjet e nevojshme për të përshtatur infrastrukturën spitalore në jug të Rripit të Gazës, për të pritur të sëmurët dhe të plagosurit, si dhe për të shtuar futjen e pajisjeve mjekësore të nevojshme në territor.
Ushtria bën me dije se institucionet janë paralajmëruar se “në rast të hyrjes së trupave në qytetin e Gazës, do të ketë një evakuim të plotë të popullsisë nga veriu drejt jugut të enklavës”.
“Kjo kërkon hartimin e një plani për transferimin e furnizimeve mjekësore nga veriu në jug, për të garantuar ofrimin e kujdesit mjekësor për të gjithë pacientët dhe për të përgatitur spitalet në jug që të presin pacientët e ardhur nga veriu,” vijon njoftimi.
Sipas ushtrisë, oficerët kanë garantuar gjithashtu se “do të ofrohet një vend ku mund të operojnë shërbimet mjekësore, qoftë nëpërmjet një spitali fushor apo ndonjë strukture tjetër të përshtatshme”./panorama