Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së tha se marsi në Kosovë nuk është thjesht një muaj në kalendar, por një kujtesë e përhershme e sakrificës, heroizmit dhe vendosmërisë së popullit për liri.

Ajo tha se janë mbledhur në këtë ditë të shenjtë, në një vend me simbolikë të jashtëzakonshme, në kazermën “Adem Jashari”, aty ku tha se ruhen dhe vazhdojnë të jetojnë vlerat për të cilat ranë dëshmorët tanë.

“Ky është vendi ku trashëgimia e Komandantit Legjendar Adem Jashari nuk është thjesht vetëm një kujtim, por frymëzim për brezat e ardhshëm të ushtrisë sonë. Sot kujtojmë me krenari, Komandantin Legjendar, familjen e tij heroike dhe gjithë luftëtarët që i dolën zot atdheut duke paguar lirinë me jetën e tyre”, tha presidentja.

Tutje, Osmani tha se në ato tri ditë të marsit 1998 në Prekaz ndodhi një ndër betejat më heroike të historisë s kombit shqiptar ku dëshmorë përveç burrave u bënë edhe fëmijët, gratë e pleqtë.

“Sepse Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, por një kështjellë e lirisë, një fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë, dhe i tillë mbetet edhe sot. Familja Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës, një monument i gjallë si sakrificës dhe heroizmit të pashoq”, tha Osmani.

Ajo tha se në ato ditë marsi 1998, kur flaka mbuloi Prekazin, kur shtëpia e Jasharëve u bë kalaja e lirisë, u flijua një familje, por lindi një epokë e re për Kosovën, epoka më e lavdishme e historisë.

“Liria nuk përmbyllet me betejat tona, sepse ajo kërkon përkushtim të përditshëm për ta mirëmbajtur, sakrificë të vazhdueshme për ta mbrojtur shtetin tonë të fortë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë e brezin e ri të Jasharëve”, nënvizoi Osmani.

E para e shtetit tha se FSK-ja si trashëgimtare e UÇK-së, me profesionalizëm, është gjithmonë e gatshme t’i dal zot vendit.

“FSK-ja e policia janë garanci për sovranitetin tonë, një mburojë për paqe dhe sigurinë e qytetarëve tanë, dhe dëshmi se sakrifica e dëshmorëve nuk ka qenë e kotë”, tha tutje ajo.

Osmani shtoi se Epopeja i mësoi se asgjë nuk është e pamundur kur është guximi që të jenë të bashkuar për idealin e lirisë.

“Sot më shumë se kurrë, ne, duhet sërish të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur Kosovën tonë, për ta bërë atë më të fortë, më dinjitoze e më të respektuar në botë”, tha komandantja supreme e FSK-së, presidentja, Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në mbledhjen solemne të Qeverisë tha se çdo kompromis me Epopenë dhe përcaktimin e saj, është kompromis dhe pazar me qenien me lirinë.

Tha se sovraniteti është një emancipim, e çdo lëshim, sipas tij, në kufi apo në veri ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën.

“Çdo kompromis me Epopenë dhe përcaktimin e saj është kompromis dhe pazar me qenien me lirinë tonë, i cili sjellë më pak liri, pra sjell robëri. Çlirimi i një populli dhe sovranizimi shtetëror i tij, përbëjnë lirinë që fitohet dhe lirinë që mbrohet. Sovraniteti, është një emancipim, çdo lëshim në kufi apo në veri ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën. Ne i kemi shpallur zotimet tona, si për mandatin e shkuar ashtu edhe për mandatin e ardhëm, për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Kurti.

Organizimi më i madh i krimit, sipas kryeministrit, e ka burimin në vendet ku është bërë kompromis me lirinë e përcaktimit të një shteti me sovranitetin.

“Andaj, sot jam krenar si kryeministër i Kosovës të deklaroj se ne jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja, dhe se kemi ecur në katër vite në ritmin e saj dhe në perspektivën e hapur prej saj”, tha kreu i qeverisë.

Tutje, vijoi Kurti se asnjë politik e asnjë qeverisje nuk mund të bëjë kompromis me historinë e tyre të ardhshme.

“Sepse, ne, si mendim e si veprim jemi të rrethuar në veprimtarinë tonë, nga njëra anë prej ritmit që iu përcaktua historisë tonë politike në datat 5,6 e 7 marsit 1998, dhe në anën tjetër, prej idealit të projektuar falë flijimit të madh të Prekazit për të ardhmen tonë”, shtoi ai.

Sipas kryeministrit, çdo ngushtim i politikës në treva e krahina, është përpjekje për korruptim të kësaj Epopeje.

“Çdo përvetësim i Epopesë dhe i luftës, është korruptim i idealit të Epopesë. As edhe Kosova nuk e ka të drejtën që si e vetme ta përcaktojë historinë e Prekazit. Prekazi iu përket të gjithë shqiptarëve që mbajnë këtë emër, por edhe gjithë popujve liridashës të mbarë njerëzimit e përgjatë historisë”, përfundoi Kurti./RTK

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu