
Në qytetin e Pogradecit ka nisur sot një aksion për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë veprimtari ekonomike, si dhe për largimin e mjeteve të parkuara në kundërshtim me rregullat.
Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë së Pogradecit, Markel Hafesllari, i cili ka drejtuar aksionin, deklaroi se ndërhyrja bëhet në kuadër të sezonit turistik.
Sipas tij, subjekteve u ishte kërkuar më herët të lirojnë hapësirat publike, por shumica nuk e kanë zbatuar urdhrin e institucioneve. Si pasojë, mëngjesin e sotëm Policia Bashkiake ndërhyri për lirimin e detyruar të tyre.
Ky aksion për lirimin e hapësirave publike vjen pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama, ndërsa inspektoratet do të jenë të pranishme në terren gjatë gjithë sezonit, për të garantuar mbarëvajtjen e tij./balkanweb