
Një nga emrat që po përmendet si propozim nga aleatët e opozitës për kryetar të bashkisë së Tiranës është Florian Haçkaj, nipi i mjekut të njohur dhe ish-kandidatit për kryebashkiak të PD-së në vitin 2015, Halim Kosova.
Në një lidhje për emisionin “Log” në News24, Haçkaj u pyet për reagimin e dajës së tij pas publikimit të emrit të tij si kandidat potencial. Ai tregoi se daja nuk ishte dakord me këtë ide.
“Daja më tha, mos u merr,” u shpreh Florian Haçkaj, duke shtuar se megjithatë e ka vlerësuar si një nder propozimin për të përfaqësuar opozitën në garën për Tiranën, megjithëse deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
“Jam ndjerë i vlerësuar dhe i nderuar. Shqipëria ka nevojë për njerëz. Për momentin është vetëm një propozim i emrit tim. Nevojiten njerëz që janë gati të përballen me sfidat dhe betejat e vështira,”, tha Haçkaj.
Ai shtoi se nuk është i zhgënjyer që nuk është përfshirë në listën si përfaqësues i diasporës dhe se është i gatshëm të angazhohet në çdo mënyrë për Shqipërinë, pavarësisht mungesës së një konfirmimi zyrtar deri më tani.